Stavileci, PDK: Në fushatë do t’i respektojmë të gjitha masat kundër konronavirusit
Blerand Stavileci nga Partia Demokratike e Kosovës ka folur për mënyrën se si do ta organizojë kjo parti fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.Ai në Politiko të Kanal 10, ka thënë se PDK e ka të rëndësishëm shëndetin e qytetarëve dhe duhet të respektohen rregullat e pandemisë.Stavileci ka folur për zhvillimin e fushatës digjitale, transmeton Gazeta Online “Reporteri.net”.“Edhe ne kemi qenë të përgatitur për një lloj fushate të tillë. Nuk është risi se edhe në fushatat e kaluara për shkak të zhvillimeve teknologjike dhe formave të reja të komunikimit jemi mësuar dhe adaptuar në këtë lloj komunikimi dhe nuk e konsiderojmë si pengesë të madhe”, tha ai.Gjithashtu, Stavileci tha se edhe gjatë takimeve fizike me qytetarët do t’i respektojnë masat në mënyrë rigoroze.“Gjatë gjithë kohës edhe në takimin që e kemi pasur para pak ditësh me kandidatët për kryetar, kryetari Memli Krasniqi dhe të gjithë të tjerët kemi përsëritur se duhet të kemi respektim maksimal të të gjitha rregullave. Edhe çështja e numrit të personave, kufizimi i numrit, pra ne maksimalisht do ta respektojmë çdo pikë të udhëzimeve”, tha Stavileci./Reporteri.net/