AAK-ja i bën thirrje Vetëvendosjes që nesër ta votojnë rezolutën kundër shtrenjtimit të rrymës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjatë ditës së nesërme, në seancën e Kuvendit të Kosovës do të paraqesë rezolutë kundër ngritjes së çmimit të rrym . Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se presin edhe nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje që ta votojnë këtë rezolutë dhe të stopojnë ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës, shkruan Reporteri.net. “Për ne është e papranueshme që dikush që ka paguar 52 euro të paguaj deri në 100 euro. Ne nesër në këtë debat, presim dy çështje, fillimisht nga shumica parlamentare, nga VV të reflektojë dhe të votojë rezolutën tonë që obligon Qeverinë dhe ZRRE-në që të mos shtrenjtojë energjinë elektrike, pra që të anulohet rekomandimi. E kemi momentumin shumë të mirë që nesër të stopojmë ngritjen e çmimeve. Ku ka logjikë që një familje t’i dyfishohet çmimi i energjisë dhe me taksat e tyre të paguhet një pjesë tjetër e konsumatorëve. Ku ka logjikë kjo. Shtrohet pyetja e qasjes së Qeverisë, vetëm disa ditë pasi Kurti tha se rryma është shtrenjtë në Kosovë, ZRRE propozon ngritjen e tarifave. Me këto tarifa afektohen rreth 200 mijë familje. Kë po e mbron kjo qeveri, qytetarin apo interesin e korporatave”, u shpreh Tahiri para mediave. Ai tha se në qoftë se kjo rezolutë nuk kalon do të përdorin mjete të tjera demokratike për të kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës, duke përfshirë edhe protestat.“AAK fton grupet parlamentare në Kuvend, shumicën parlamentare që kjo rezolutë të miratohet me shumicë absolute. Në të kundërtën duhet t’i shterim të gjitha mekanizmat demokratikë duke përfshirë edhe protestat”, u shpreh Tahiri. /Reporteri.net