Veteranët tërhiqen nga organizimi i festës së 14 vjetorit të pavarësisë: U injoruam nga Kurti
Qeveria e Kosovës ka organizuar festimin e 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt.Por, këtë vit Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Këshillin Organizues për këtë festë.Sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka deklaruar për lajmi.net se arsyeja e mospjesëmarrjes në këshillin organizues të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është injorimi i kryeministrit Albin Kurti ndaj tyre.“Ne në festën e Pavarësisë marrim pjesë, por jo në Këshillin Organizues. Arsyeja është se dje janë bërë një vit që u bë kryeministër, nuk e kemi taku asnjëherë përpos kur ja kemi uru zyrën, i ka dy e-maile por nuk ka kthyer përgjigje. Po na injoron për takime dhe deri sa ai na injoron që të takohemi kur veteranët e luftës do të duhej të merrnin beneficionet e tyre përmes ministrive të ndryshme dhe për këtë arsye duhet të takohemi me kryeministrin, ai s’na takon, çka me u fut në Këshill Organizues na për ta shënu Pavarësinë, e shënojmë vetë”, ka thënë Klinaku.Tutje, ai ka deklaruar se me çdo kryeministër të kaluar kanë pasur raporte të mira dhe i kanë aranzhuar takimet më lehtë, përmes telefonit. Por, Klinaku ka thënë se kjo nuk ka ndodhë me Kurtin.“Me kryeministrat e çdo qeverie, ne takimet i kemi organizuar përmes telefonatave në zyrën e tyre dhe na kanë aranzhu takimin. Këta nuk kanë pranuar, as Qeveria Kurti I as Kurti II, që të organizojmë takim ose ta organizojnë ata takimin përmes telefonit. Ata gjithmonë kanë kërkuar që të dërgojmë e-mail. Dy e-maile ju kemi dërguar, asnjë përgjigje nuk e ka”, ka thënë Klinaku.Ai ka bërë të ditur se një anëtar i kryesisë së OVL-UÇK është takuar fizikisht me kryeministrin Kurti, ku ky i fundit i ka thënë se “do t’ju thërras”, por që sipas Klinakut tashmë janë bërë një vit që Kurti është bërë kryeministër dhe nuk i ka ftuar asnjëherë, e as nuk ju ka kthyer përgjigje me e-mail.