U raportua se Kurti do ta shkarkoj, reagon Gërvalla: Jemi shumë unik, vazhdojmë punën
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka mohuar raportimet se brenda koalicionit qeverisës ka mosmarrëveshje dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar dorëheqjen. Përkundrazi Gërvalla thotë se drejtuesit e institucioneve asnjëherë “nuk kanë qenë kaq unik”.Të dielën mbrëma u raportua se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka kërkuar dorëheqjen nga pozita e Ministres së Jashtme, Donika Gërvallës, duke i thënë asaj se mund të mbajë vetëm pozitën e zëvendëskryeministres. Por këtë e kishte mohuar kategorikisht Gërvalla.“Përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës, asnjë herë më parë, që nga pavarësia e këndej, nuk kanë qenë kaq unik dhe nuk i kanë bashkërenduar kaq mirë veprimet dhe vendimet e tyre në të mirë të forcimit të shtetit dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve të Republikës”, shkruan Gërvalla në Faecbook. Ajo tutje thotë se qeveria ka marrë masa të menjëhershme për të mos lejuar rritjen artificiale të çmimeve dhe krijimin e panikut tek familjet.“Masat e menjëhershme dhe të suksseshme të qeverisë për të mos lejuar rritjen artificiale dhe të shfrenuar të çmimeve, krijimin e panikut dhe zhvatjen e skajshme të qytetarit, tek ata që duan ta zhbëjnë 14 shkurtin 2021, natyrisht që krijojnë shqetësim dhe ngjallin fantazi dhe epshe të pakontrolluara. Shpikin, shajnë, fyejnë, gënjejnë. Ndërsa ne, thjesht vazhdojmë punën”, shkruan ajo.