Shefi i EULEX-it, Wigemark: Situata e sigurisë në Kosovë është stabile, por mund të ndryshojë shpejt


                                   Situata e sigurisë në Kosovë është stabile, por mund të ndryshojë shpejt. Kështu tha për Gazetën Online Reporteri.net, Shefi i Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars Gunnar Wigemark.

“Situata e sigurisë në Kosovë është stabile. Megjithatë, mund të ndryshojë shpejt. Për momentin, nuk ka shqetësime të rëndësishme të sigurisë që do të kërkonin aktivizimin e EULEX-it si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë. Misioni ynë mbetet vigjilent dhe monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e shefit të EULEX-it, Wigemark për Reporteri.net. Një Njësi Policore e Specializuar Rezervë, e përbërë nga 92 anëtarë të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë nga Portugalia, Franca dhe Italia do të vendosen përkohësisht në Kosovë në javët e ardhshme për të përforcuar kapacitetin e Njësisë së Formuar të Policisë së EULEX-it. Shefi i EULEX-it, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, dha detaje ekskluzivisht se një ekip i cili përbëhet nga 13 xhandarë nga Portugalia dhe Franca, mbërriti në Kosovë dje, më 14 mars, ndërsa pjesa tjetër e tyre mbërrijnë në Kosovë më 18 mars.“Data e vendosjes së xhandarëve italianë është në pritje të konfirmimit”, tha Wigemark. EULEX-i thotë tutje se prurja e kësaj njësie në Kosovë, do të rrisë më shumë sigurinë“Njësia Policore e Specializuar Rezervë, do të mbështesë EULEX-in në përmbushjen e detyrave, duke përfshirë edhe reaguesin e dytë të sigurisë së Kosovës nëse është e nevojshme, duke marrë parasysh mjedisin e sigurisë. Njësia policore e formuar nga rezervat është vendosur si përgjigje ndaj nevojës së misionit për të pasur forca shtesë në terren dhe për të mbështetur më mirë homologët tanë kosovarë nëse kërkohet dhe nëse është e nevojshme. Me vendosjen e tyre në Kosovë, xhandarët mund të angazhohen – nëse lind nevoja – në aktivitetet e EULEX-it, duke përfshirë patrullimet ditore të zbulimit dhe trajnimet mbi strategjitë për kontrollin e turmës dhe trazirave. Vendosja e njësisë policore të formuar nga rezervat, tregon vendosmërinë e EULEX-it që të vazhdojë të mbështesë stabilitetin e Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha tutje Wigemark për Reporteri.net.Për këtë vendim, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi dje shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Lars Gunnar-Wigemark. Në këtë takim ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, të cilët biseduan për situatën aktuale në Kosovë dhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit EULEX në fushën e sundimit të ligjit.Së fundi, deputetë dhe njohës të fushës së sigurisë në Kosovë paralajmëruan se pushtimi rus në Ukrainë, mund të ketë ndikim në sigurinë e Kosovës, veçmas në pjesën veriore të vendit. EULEX-i edhe për këtë ka dhënë një sqarim.“Në të vërtetë, disa figura kryesore kanë paralajmëruar se pushtimi rus në Ukrainë mund të ketë një efekt përhapës. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, diskutoi dje në Shkup për implikimet më të gjera të luftës për Ballkanin Perëndimor dhe se si Bashkimi Evropian mund t’i ndihmojë më së miri për t’u përballur me pasojat dhe për të rritur qëndrueshmërinë e tyre. Siç e përmenda tashmë, situata e sigurisë në Kosovë është stabile, por mund të ndryshojë shpejt. Ne jemi duke monitoruar vazhdimisht të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës. Njësia jonë e Specializuar Policore kryen patrullime ditore në veri të Kosovës dhe për momentin nuk ka asnjë shqetësim të madh për sigurinë. Për të testuar gatishmërinë dhe për të siguruar koordinim, Njësia e Specializuar e Policisë së EULEX-it gjithashtu merr pjesë në ushtrimet për kontrollin e turmave dhe trazirave së bashku me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Stërvitja e fundit e tillë u zhvillua më 22 shkurt së bashku me KFOR-in”, thuhet në përgjigjen e Wigemark.Forca Evropiane e Xhandarmërisë është forcë policore shumëkombëshe, operacionale, e para-organizuar, e fuqishme, dhe shpejtë e zbarkueshme. Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës dhe ofron mbështetje të vazhdueshme për kapacitetet e Policisë së Kosovës për kontrollin e turmave dhe trazirave përmes këshillave dhe seancave të trajnimeve të përbashkëta.Mekanizmi treshtresor i reaguesve të sigurisë në Kosovë përbëhet prej Policisë së Kosovës si reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-it si reagues i dytë dhe KFOR-it si reagues i tretë. Qëllimi i reaguesit të dytë të sigurisë, sipas EULEX-it, është de-eskalimi i tensioneve dhe rikthimi i rendit publik, si dhe mbrojtja e jetës, integritetit dhe pronës së popullsisë së prekur. /Reporteri.net/