Ambasada e SHBA-së në Prishtinë: Presim angazhim të menjëhershëm në Dialogun Kosovë-Serbi, lufta në Ukrainë tregon urgjencën për integrimin e Ballkanit Perëndimor


                           Ambasada Amerikane në Prishtinë, përmes një deklarate për Gazetën Online Reporteri.net, ka ripërsëritur se SHBA-ja pret angazhim të menjëhershëm në dialogun Kosovë-Serbi, të përqendruar në njohje reciproke. Duke hedhur kështu poshtë aludimet se lufta në Ukrainë mund ta pezullojë procesin e dialogut të papërmbyllur mes Kosovës dhe Serbisë. Një zëdhënës i ambasadës së SHBA-së në Prishtinë tha të enjten për Gazetën Online Reporteri.net se pushtimi rus në Ukrainë ka treguar rëndësinë dhe nevojën e punës së SHBA-së dhe partnerëve evropianë për të siguruar integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, brenda institucioneve të tyre.“Lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë kundër Ukrainës vuri në pah edhe një herë rëndësinë dhe nevojën urgjente të punës së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve tanë evropianë për t’u siguruar që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen plotësisht në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në deklaratë.Në deklaratë, Ambasada Amerikane në Prishtinë, ripërsërit qëndrimin e SHBA0-ve se dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke mes dy shteteve, në mënyrë që pastaj të hapet rrugë për integrimin e tyre në BE, NATO dhe në institucionet tjera ndërkombëtare.“Shtetet e Bashkuara besojnë se angazhimi i menjëhershëm, i hapur, i sinqertë dhe fleksibil në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja është mënyra më e mirë jo vetëm për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje të përqendruar në njohjen reciproke, por po ashtu që të dyja këto shtete të zënë vendet e tyre të merituara, përkrah fqinjëve në institucionet evropiane dhe euroatlantike”.“E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë shtrihet në brendësi të Evropës”, përfundon deklarata e zëdhënësit të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, për Gazetën Online Reporteri.net.Ndryshe nga kjo deklaratë e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, situatën me dialogun me Serbinë e paraqiti të martën Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.Ai tha se beson se “se situata është më e vështirë sesa dikur”, dhe shtoi se “varet se kur na vije ftesa nga Brukseli”.“Mirëpo pas invazionit rus në Ukrainë, takimet janë në një situatë tejet më të vështirë sesa vitin e kaluar”, tha Kryeministri kosovar në një paraqitje të tij para mediave.Se dialogu, siç BE parapëlqen ta quaj “për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” po vazhdon, të enjten i tha Gazetës Online Reporteri.net edhe zëdhënësi i BE’së Peter Stano.“Si gjithmonë, ne njoftojmë për çdo takim të ardhshëm rreth dialogut kur është koha e përshtatshme”, shtoi ai.Megjithatë, sipas BE-së, sikurse edhe e shpehu vet shefi i saj, Josep Borrell, dialogu Kosovë-Serbi nuk “është nën ritmin e pritur”.“Z. Borrell shprehu zhgënjimin e tij që, edhe pse dialogu po ecën në drejtimin e duhur, nuk është me ritmin e pritur”, tha Peter Stano të enjten për Gazetën Online Reporteri.net.Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, në intervistën e tij të parë për ndonjë medium në Kosovë, tregojë për rëndësinë që në mënyrë urgjente të arrihet marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë. Tha se SHBA-ja pret që si Kosova, ashtu edhe Serbia t’i respektojnë zotimet e mëhershme për njëra-tjetrën, përfshirë edhe atë për krijimin e Asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë. /Reporteri.net/.