Çaste poetike me poeten:Eli Zeneli
LINDA FEMËR NË BOTËN SHQIPTARE
——————————————————–
Linda femër në botën shqiptare
Pak ose aspak u gëzuan për lindjen time.
Edhe pse herë pas here kam dëgjuar të këndojnë
“Kush ka vajza botën ka, janë për motër janë për vëlla
Oooo, janë sherbet për bakllava”,
Herët e kam kuptuar se kisha lindur në një botë të vogël.
Bota shqiptare e shndërruar në një guackë,
Ku liria jepej me doza si terapia një të sëmuri,
Kisha të drejtë të veshja rroba të reja për festa
E të ushqehesha me gjellërat më të mira,
Por qortohesha, kur në pasqyrë shikoja fytyrën
Me sytë e mbushur plot ëndrra të blerta, të kaltra.
Nuk më lejohej ritmi i shpejtuar i të rrahurave të zemrës,
Kur në skaj të horizontit më shfaqej silueta e ndonjë çapkëni,
Kur shponte me shigjetat e Amorit, me shigjetat e Kupidit
Zemrën time tërësisht të pambrojtur.
Hiqesha e lumtur para të gjithëve
Mburrja e tyre isha,
Por shpirti më plaste nga brenda.
Prej atëherë jam nisur rrugës së gjatë
Për ta takuar Yllin tim në qiellin e dashurisë
Kam kaluar nëpër botën kërmillore
Të mbyllur në guacë primitivizmi
Duke mos e ndalur hapin drejtYllësisë së Dashurisë
Drejt Yllit tim,
Shkëlqyes për mua shtegtaren e pandalur kurrë.