BARTJA E LUFTËS NGA BALLKANI NË UKRAINË –Shkruan:Ruzhdi Gashi,avokat
Lufta në Ukrainë po i zbulon shumë gjëra për të cilat para pak viteve më parë për shumicën e njerëzve por edhe politikanë shqiptar e evropian deri edhe ata botëror as që kanë mund të mendohen. – Lidhjet e disa shteteve evropiane me Rusinë dhe Kinën në sferën ekonomike, por jo vetëm, – ftohja e marrëdhënieve të disa shteteve të forta evropiane me Amerikën, veçanërisht Gjermanisë, – izolimi i Kosovës nga BE dhe mospranimi i saj në BE dhe NATO për shkak të mosnjohjes nga 5 shtete evropiane, – dënimi i UÇK dhe udhëheqjes së saj në Hagë, – izolimi i vendeve të Ballkanit dhe mos-pranimit të tyre në BE ku si pasojë është mos-zhvillimi ekonomik, – varfërimi dhe ikja e të rinjve nga këto shtete për jetë më të mirë në shtetet e BE dhe më gjërë, deri edhe – te provokimi nga eksponent ruso-kinez në Serbi dhe në disa grupe e subjekte politike në Maqedoninë e V, Mal të Zi, Shqipëri dhe në Kosovë, janë vetëm disa fenomene që, të gjitha këto së bashku, secila për interesa të veta dhe të ndryshme, janë bërë potencial i rëndësishëm për të destabilizuar Ballkanin, Evropën dhe për të dobësuar ndikimin e SHBA në Ballkan, Evropë dhe në botë që, në fund të dëbojnë Amerikën nga Evropa dhe Ballkani për të krijuar një rend botëror me ndikim më të madh ose nën interesat e përbashkëta Ruso-Kineze. Pra thjeshtë është investuar që të fillojë një luftë në Ballkan që, përmes Ballkanit të destabilizojnë Evropën dhe të lëshojnë vend për Rusinë dhe Kinën pa përjashtuar edhe involvimin e disa shteteve islamike aziatike, armiq të përbetuar të SHBA, planë ky që mund të quhet plani A. Shikuar në këtë këndvështrim nga faktet e cekura më lartë, ky projekt anti-amerikan dhe anti-evropian, drejtpërsëdrejti është edhe anti-Kosovë në veçanti dhe anti-shqiptar në përgjithësi. Deri më tani, ky projekt për fillimin e një lufte në Ballkan, ka dështuar për shkak të vigjilencës amerikane pasi që, fatmirësisht, rajoni i Ballkanit me shtetet Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të V. dhe Mal të Zi si dhe vendet e Mesdheut siç janë Greqia, Turqia dhe Italia janë anëtare të NATO dhe të mbrojtura dhe të ndikuara nga Amerika. Por, këta armiq ruso-kinez, së bashku me elementet anti-amerikane në Evropë dhe islamik aziatik, nuk ndaluan veprimtarinë e tyre anti-amerikane dhe gjetën hapësirë për fillimin e një lufte në Evropën Qendrore në Ukrainë. Edhe ky projekt,që mund të quhet plani B i armiqve të Evropës dhe Amerikës, është aq i rrezikshëm sa edhe plani A i fillimit të luftës në Ballkan, që si qëllim të vetëm kanë destabilizimin e Evropës, të shkatërroj atë dhe të fillojnë më pastaj luftën përtej Oqeanit në Amerikë. Po të realizohej ky projekt famëkeq, qoftë plani A qoftë plani B, përfundimisht Serbia do të forcohej në Ballkan dhe do të dobësohej tejmase pozicioni i Kosovës në veçanti dhe i shqiptarëve në përgjithësi. Fatmirësisht, ashtu siç e ndaloi Amerika luftën në Ballkan sipas planit A, njëjtë vepruan dhe u bashkuan Amerika, Anglia, Australia, Kanada dhe Evropa në përgjithësi për t’i dalë përpara agresionit rus në Ukrainë në planin B. Ky unitet i vendeve euroatlantike në krye me SHBA, do t’ia dalin t’i mposhtin këta armiq anti-amerikan, anti-evropian, anti-shqiptar dhe anti-njerëzor në krye me Rusinë fashiste. Pas fitores së forcave demokratike në krye me Amerikën përballë forcave gjenocidiale të diktaturave në krye me Rusinë, do të lind një rend i ri botëror ku Evropa do të dalë me demokratike, me një riorganizim më të mirë, ku shqiptarët do të zënë vendin e merituar në shtëpinë e tyre natyrale evropiane për të vazhduar në ndërtimin dhe demokratizimin e saj që, në krye me Amerikën, të ndihmojmë demokratizimin, zhvillimin dhe përparimin e popujve liridashës në mbarë botën, edhe në Rusi, Kinë e Azi. 20.04.2022 Av. Ruzhdi Gashi