E diela poetike me poeten:Taena Mata
Le të rilind
————————–
E urrej dimrin
dhe së shpejti do të jetë pranverë,
e urrej edhe pranverën..
E dini…?
I urrej të katër stinët,
jam e lodhur me to,
e mërzitur prej tyre.
Të njëjtat stinë
vijnë rrotull në cirkël
e vazhdojnë të përsëriten,
pareshtur
në çdo vit…
çdo vit e njëjta gjë.
Dhe ju do të më thoni:
– e ke gabim,
– sepse është diçka,
që njeriu…
nuk duhet as ta mendojë,
e jo më ta thotë.
Por ndoshta,
unë kam lindur më shumë se një herë.
Le të themi se jam rimishëruar
afërsisht njëqind herë
dhe jetoj rreth 90 vjet në çdo jetë.
Kështu që i bie të jem rreth 9000 vjeçe.
Zoti im 9000 vjet…mbi këtë tokë..!
Një gjë nuk kuptoj
pse dreqin vazhdoj të rilind..?
Për të gëzuar ndoshta …
apo…
kush dreqin… e merr vesh…
Nuk e vras më mendjen, nëse rilind akoma,
Le të rilind !
Ndoshta…
bëhet më mirë …ku i dihet.