Nga e kaluara e vendlindjes time- Shkruan; Çerkin Bytyçi,libër në dorëshkrim
Në Vërri – vreshtaria sektor i rëndësishëm jetësor
Në trevën e Vërrinit të Prizrenit, deri në të kaluarën e afërt, vreshtaria ishte veprimtari po ashtu e rëndësishme si edhe bujqësia dhe blegtoria. Pothuaj secila familje kultivonte hardhinë e rrushit. Për të ngritur një vresht duhej punë e mund i madh. Natyrisht, derisa të arrihet të merren frute nga vreshti duhen kaluar disa vjet, por vërrinasit e durueshëm, këtë e bënin me dëshirën më të madhe, kurse tradita e kultivimit të vreshtave në këtë anë dëshmon se popullata e kësaj treve ka qenë popullatë vendëse.Vreshtaria ishte tejet e zhvilluar në fshatrat e Vërrinit e sidomos në Hoçë të Qytetit, në Leskovec, Lybeçevë e Billushë. Përveç shitjes në treg, rrushin cilësor të kësaj ane e kërkonin me të madhe blerësit në Prizren, Dragash etj. Nga rrushi prodhohej verë cilësore, pastaj pekmez e reçel. Vreshtat e bereqetshme ishin të ngritura në të gjitha shpatet e kësaj ane, kurse në veçanti të njohura ishin vreshtat nga Hoça e deri në Prizren, në të djathtë të lumit Lumëbardh.
Sipërfaqe të konsiderueshme, sidomos në terrenet kodrinore, dikur qenë të mbjella me vreshta të tipit të ulët, mbasi për zhvillimin e rrushit në këtë anë kushtet klimatike janë tejet të volitshme.Sipas një pasqyre të sipërfaqeve të tokës, në regjionin e Vërrinit, në vitin 1948 kishte 4285 hektarë sipërfaqe, nga të cilat 134 hektarë vreshtari.
Në shumë dokumente të shkruara historike, vreshtat e fshatrave të Vërrinit përmenden si begati që mbretërit, në kohën e mesjetës, i përvetësuan dhe madje edhe i dhuruan. Kështu ndodhi edhe me vreshtin e fshatit Billushë, i cili në dokumente të shkruara përmendet madje që nga viti 1277, kur Stefan Uroshi II vërteton pronësinë mbi vreshtin e Billushës.
Ndërkaq, në vitin 1348 vreshtin e fshatit Poslisht, Car Dushani ia dhuroi Manastirit të Shën Arhangjejve në Prizren. (Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, Vëllimi II, Shek. VIII-XV, Universiteti Shtetëror i Tiranës/Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, Tiranë, 1962, f. 148).
Në regjionin e Hoçës së Qytetit ekziston një toponim me rëndësi historike, Llëkat (Llukat), që përcakton supozimin e vërtetuar historikisht të ekzistimit të një vendbanimi të rëndësishëm, në dokumente të shkruara të njohur si Lluka. Për ekzistimin e fshatit të vogël Lluka, dëshmon edhe karta e Stevan Deçanskit, dhënë Kishës së Zonjës Levishkë në Prizren, me të cilën asaj “Fshati Hoçë afër Llukës, i bashkohet së bashku me banorët dhe vreshtin, siç është mbajtur edhe më herët“.
Mbase territori nga Hoça e Qytetit e deri në Prizren, shpatet në të djathtë nga rruga e vjetër që shpie për në qytet, ishin përplot vreshta dhe pemë, në secilën pasuri pronarët ngritën kasollet (kolibet e vreshtave), në të cilat vendoseshin gjatë kohës kur kryenin punët e kitjes së hardhive, punimit të vreshtave dhe pemishteve dhe vjeljes së rrushit. Thuhet se këto kasolle (kolibe) ishin të ngjitura njëra me tjetrën, saqë macja që nisej nga një shtëpi hoçjane, duke kaluar nga pullazi në pullaz, arrinte në brendi të qytetit të Prizrenit.
Në relacionin e Pjetër Bogdanit të datës 24 mars 1684 për gjendjen në Kosovë, për Peshkopatën e Prizrenit shkruan: …Ka një fushë shumë të bukur të gjatë 30 milje e shumë pjellore dhe, në rrëzat e maleve, në vende të thata, për një pjesë të gjatë të vendit, shtrihen vreshta shumë të frytshme dhe qyteti shijon verëra shumë të zgjedhura“. (J. Osmani: Vendbanimet e Kosovës 18 (Prizreni), Prishtinë, 2006, f. 210).
Nga defterët e periudhës osmane rezulton se në të gjitha fshatrat e Vërrinit kultivoheshin vreshtat në një nivel të lartë. Kështu, siç shihet nga defterët, pothuajse të gjitha fshatrat e Vërrinit paguanin akçe, taksë mushti.
Në shumë defterë osmanë të regjistrimit të pasurisë dhe të familjeve të Vërrinit, po ashtu përmenden vreshtat e njohura dhe pronarët e tyre. Kështu, në një defter nga viti 1530 përmenden vreshti i Husinit, të birit të Abdullah-it, vreshti i Kasem Dogan-it, vreshti i Hajrudin-it, vreshti i Baba Hasanit, vreshti i Aliut, vreshti i Mehmed Hajdarit, pastaj vreshti i Hasanit, të birit të Abdullahut në Hoçë, vreshti i Tauk Mustafës, vreshti i Sefereit, vreshti i Mehmedit në Jeshkovë etj.
Po ashtu, edhe në defterin e vitit 1571, përmenden vreshtat në Hoçë si vreshti i Mustafë B. Ferhatit, 4 dynym, vreshti i Mehmedit, 8 dynym, vreshti i Hysein B. Abdullahut, 6 dynym, ato në Leskovec, si: vreshti i Mustafë begut, miralai i sanxhakut të Dukagjinit, 3 dynym, vreshti i Mahmud B. Mustafës, 4 dynyum dhe në Jeshkovë përmendet vreshti i hatib Mehmed Hoxhës.
Nga tradita e kultivimit intensiv të vreshtave në Vërri, sot kanë ngelur shumë toponime, që të kujtojnë vreshtat e dikurshme, si: Vinishtat, Vneshtat e Zadrugës, Vneshta Avllait (Avllait Durës), Vneshta Berzatit (Berzati Seferit nga Billusha), Vneshta Llatinit në Hoçë të Qytetit, Mëhalla e Vneshtave në Billushë, Vneshtat e Katunit në Leskovec, etj. Aktualisht, në shumë kopshte të familjeve në vendbanimet e Vërrinit mund të shihen të mbjella hardhitë, që rikujtojnë këtë veprimtari të bujshme në të kaluarën dhe kjo është shprehje e trashëgimisë së vreshtarisë së dikurshme këtu, që ishte në zë.
Në Vërri ishte tejet e zhvilluar edhe pemëtaria. Qershitë e luginës së Prizrenit ishin në zë. Në këtë anë kultivoheshin po ashtu edhe pemë të ndryshme frutore, si: mollët, kumbullat, dardhat, pjeshkat etj. (Mr. Marjan Prenkaj: Prizreni dhe rrethina në shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, Instituti i Historisë, Prishtinë, 1999, f. 165).
(Ky tekst është shkëputur nga libri në dorëshkrim)
Çerkin Bytyçi
Në fotografi: Osmani Azës dhe Xheladini Taipit, dy nga hoçjanët e organizuar që me përkushtim e prodhonin rrushin cilësor të cilin, siç shihet në këtë fotografi të para mëse pesëdhjetë vitesh, të cilën e ruaj me gjelozi, e plasonin edhe në fshatrat e Gorës, përkatësisht në fshatin Mlik