E diela poetike me poetin;Sabit Rrustemi
MË SHUMË SE TASH PO E DUA
————————————————-
Thellë brinjës sime të majtë
është fshehur diku
nuk e prek as imja dorë
Vetëm e ndjej
( oh sa e ndjej )
as për të qindëtat e sekondës
nga mendja s’e largoj
Ajo
si një mëllenjë e egër Kosove
me zemrën e pa(k)thyeshme
s’ lëviz mësa ky mal i gurtë
As kur prej fjalësh e rrapëllimash
rrudhen e humbin sysh udhët
ajo s’del
Gjëmët e dhimbjeve të parrëfyera
i bluan im … im
si Mulliri Ynë i Hani dikur
Zemërthyer e përcjell
botën time të brendshme
nëpër pulsimet e mia e të saja
si e përbiron
E njëherë të vetme
sall njëherë
një gjysmë fjale
s’ma pëshpërit
Çka ‘t’i them
a ç’të bëj
Peng i një ëndrreje jam
Shtangem brenda vetes
dhe asaj hije që s’duket
e vetëm s’më le
Tashmë ma ka marrë zemrën
e shpirtin
frymë jete më është bërë
Nuk mund ta largoj
ta urrej
jo s’e jo
Çuditërisht
veç më shumë po e dua
… e do ta dua
( 22 gusht 2014 – 22 prill 2022 )