E diela poetike me poetin:Faruk Tasholli

SHPIRT I BLINDUAR

———————————

Mallit të pavdekshëm për

mikun tim , Alishefik Spahiun,

të zhdukur nga forcat policore

serbe më 1999

Të sodisin sy të egër ushtarakësh

Kafshime dhëmbësh policësh të krisur,

Ti ndez cigaren ndër fjolla tymi

Shikon drejt qiellit lirinë e pritur.

Vijnë e të thonë ik se ra zjarri

Ti zjarrin përpin gëllënkë në fyt,

Ti s’ke nevojë të fshihesh te mali

Kur rrezatim drite është trupi yt.

Të pret Tetova me sy mbi Sharr

Mos del mjegullës engjëll i shpëtuar,

Ti zbret legjendat në Ferizaj

Te kënd i përjetshëm Ante i gurëzuar.

Sulen të të zënë të të rrëmbejnë

Policë të trishtuar me armë të rënda,

Të habitur në vete ç’forcë e panjohur

Fushës së Kosovës po të mban brenda.

Ti ua tall turrin ua poshtëron armët

Ulur në ballkon, me cigare, i qetë.

O armë mbi armët shpirt i blinduar –

Ai shpirti yt sa të mbajti në jetë.