Prizren PrizrenPress E martë, 24 Maj, 2022
Hasani: Bombardimet në burg kanë qenë të tmerrshme, shihnim njerëz pa kokë e pa gjymtyrë
By admin 05/24/2022 Share
Ish i burgosur politik dhe i mbijetuar i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani ka thëfyer në Tëvë1 tmerrin që përjetuan gjatë bombardimeve të burgosurit në Dubravë.
Me rastin e 23-vjetorit të bombardimeve në burgun e Dubravës, Hasani i përshkuan ato si momente të tmerrshme por thotë se nuk kishte asnjë lloj frike pasi që ai ishte pajtuar tanimë me të gjitha ato rrethana.
“Bombardimet brenda burgut kanë qenë të tmerrshme sepse nuk dinim nga po vijnë, ne i shihnim aeroplanët, i shihnim raketat kur binin dhe i shihnim njerëzit, disa pa kokë, pa duar, pa këmbë, disa të thyer në kurriz… ”, është shprehur ai.
Hasani në emisionin “Info Nata” tha se të burgosurit e tjerë kanë përjetuar tmerre dhe frikë të madhe. Ai rrëfeu se si gjatë gjithë kohës ka dëgjuar thirrje për ndihmë.
“Dy persona që ishin familjarë mes vete, të dyve ju ranë granatat, njëri e thej këmbën, tjetri u lëndua në bosht të kurrizit, të dy ishin nga Bucaku i Drenasit… Ata kishin gjakderdhje. Gjakderdhja dilte me të madhe dhe njëri-tjetrit i thonin mos ma prek ashtin se po me dhemb. Mua më thonin mos na lër vetëm, rri me neve dhe unë me ta kam qenë. Në momentin që ka rënë granata e dytë, jam shtri për toke sepse edhe mua me sulmoi granata dhe po ashtu u ktheva prapë te ata dhe dikur ata e humbën ndjeshmërinë dhe ranë pa ndjenja”, rrëfeu tutje Hasani./Teve1.info