ARDHJES SË LLAVROVIT NË BEOGRAD I DUHEN INCIDENTE NË KOSOVË. KUJDES! –Shkruan;Prof Dr. Milazim Krasniqi
Pse po tenton me ardhë Llavrovi në Beograd, me kaq siklet, përkundër rrugëve të mbyllura?! Nëse nuk i bëhet ndonjë lëshim nga BE e NATO, faktikisht ai e e ka të pamundur të arrijë në Beograd, sepse është nën sanksione të BE e SHBA-së. Edhe kompanitë ajrore ruse janë nën sanksione, për ç’arsye nuk mund të fluturojnë nëpër qiejt e shteteve të BE-së. Prandaj, dy ditë para vizitës së tij të njoftuar, ende nuk dihet si do të arrijë në Beograd ministri kryesor luftënxitës i Putinit.
Në kontekstin e këtij problemi, shtrohet pyetja logjike: pse gjithë ky siklet i Llavrovit për të ardhë në Beograd? Përgjigja mund të kuptohet nga deklaratat e tij luftënxitëse: ai dje ka deklaruar se dëshiron të dëgjojë nga Vuçiqi se çka mendon për Kosovën (se demek nuk e ditka!) dhe e dyta, sot ka deklaruar se në Bosnje vetëm Dodiku po e mbroka Dejtonin, të tjerët dashkan luftë! Pra, Llavrovi po vjen për të tentuar të ndez përnjëherë dy vatra krize: Kosovën dhe Bosnjen. Ky është plani djallëzor i Putinit, Llavrovit dhe i Rusisë, sepse dy konflikte në Ballkan, do ta zvogëlonin vëmendjen nga gjenocidi rus në Ukrainë.
Ajo që duhet të bëjë Kosova këto ditë kritike është ruajtja e qetësisë, shmangia e provokimeve nga eksponentët lokalë, që janë në shërbim të Serbisë e të Rusisë. Më konkretisht: kushdo që këto ditë po lancon tema për pronat e manastirit të Deçanit, për gjoja incidentin me liturgjinë në Kishën në kampus, për bashkësinë e komunave serbe, ose që nxitë ndonë incident ndëretnik, duhet të kundrohet nga aspekti i sigurisë kombëtare. Pse? Sepse Llavrovit e Vuçiqit u duhen incidentet, sepse me incidente ata e ushqejnë vampirizmin e tyre./www.qendrapress.com/