Vizita e Konjufcës në Hagë, sot pritet ta takojë Thaçin e Veselin
Kryeparlamentari Glauk Konjufca po vazhdon vizitën e tij në Hagë, ku po takohet me ish-krerët e UÇK-së të mbajtur pranë Dhomave të Specializuara. Konjufca ka deklaruar se deri tash ka takuar Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Pjetër Shalën, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, ndërsa sot pritet ta takojë ish-presidentin Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.Konjufca ka thënë se është shumë i brengosur për mbarëvajtjen e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Tutje, ai tha se, anipse ka kohë prej kur dihet aktakuza ndaj tyre, ky proces po merr kohë të gjatë për t’u kryer. “Me këtë që po e shohim që po zhvillohet në Gjykatën Speciale jemi shumë të brengosur dhe shumë të pakënaqur sepse janë bërë 24 muaj prej kur ne e dimë se cila është aktakuza. Me e pasë aktakuzën e shkruar dhe mos me fillu procesi gjyqësor, atëherë shtrohet pyetja pse këta njerëz nuk janë mbrojtur deri tash në liri. Kjo mund të përkufizohet si izolim”, tha ai në RTK.Konjufca e quajti Gjykatën Speciale “gjykatë e zorit”.“Ne si Kosovë dhe si institucione të këtij vendi e shohim si shqetësim. Kemi pasë mospajtime të mëdha për themelimin e Gjykatës Speciale. Nuk është se është bërë prej qefit, mirëpo ka qenë njëfarë gjykate e zorit me thënë të drejtën. Edhe ata që e kanë ngritur dorën pro Gjykatës kanë menduar se po të mos bëhej prej Kosovës do të bëhej prej Kombeve të Bashkuara dhe prapë Kosova do të pësonte. Pra e dimë se atëherë nuk ka qenë lehtë as për ata që kanë votuar kundër e as për ata që kanë votuar pro kësaj Gjykate”, tha Konjufca.“Puna e saj e deritashme ka shumë defekte për arsye se ajo që menjëherë merr vëmendjen ka të bëjë me faktin se po bëhen gati dy vjet prej kur ish-krerët janë brenda të izoluar dhe procesi gjyqësor nuk po fillon”, shtoi tutje ai.Konjufca po ashtu deklaroi se nesër pritet që të takohet me Hashim Thaçin e Kadri Veselin. /Reporteri.net/.