Çfarë parasheh projektligji për pagat, kush sa e ka koeficientin? 
Përcaktimi i vlerës monetare të një koeficienti për pagat e shërbyesve civilë, është një ndër debatet që ka përfshirë sindikatat e punëtorëve.Ministria e Punëve të Brendshme e ka proceduar projektligjin për paga në konsultime paraprake më 17 gusht, qëllimi i të cilit është përcaktimi dhe rregullimi i sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës.Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës për pozitën (nga 1 – 18 sipas projektligjit aktual) me vlerën monetare të koeficientit.Zyrtarisht ende nuk dihet sa është koeficienti.Projektligji i pagave për sektorin publik, një kopje të të cilit e posedon Radio Evropa e Lirë, nuk e cakton vlerën e koeficientit. Aty thuhet se ‘vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit’.Raporti i koeficienteve është 1:18.
Cilët janë skenarët për vlerën monetare të koeficientit?
Në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) thonë se nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës iu është thënë se vlera monetare e koeficientit do të jetë 120 euro.Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë brenda institucioneve të Kosovës, të cilat kanë qenë pjesëmarrëse në grupe punuese të projektligjit për paga, thonë se në ato takime janë diskutuar edhe vlerat monetare prej 130 ose 250 eurosh.Sipas tyre, nëse vlera e koeficientit caktohet të jetë 120 euro apo 130 euro, atëherë raporti i koeficientit do të jetë ashtu siç është aktualisht në projektligj, 1-18.Nëse vlera e koeficientit do të jetë 250 euro, është diskutuar që raporti i koeficientit të ulet nga 1 deri në 10, e jo aq sa është në projektligj 1-18.Përcaktimi i këtyre vlerave monetare për koeficientin do të bëhet varësisht sa do të jetë buxheti i Kosovës për vitin 2023. Ky ligj zakonisht hartohet deri në fundvit.
Kush sa e ka koeficientin?
Me projektligjin për pagat e shërbyesve civilë, koeficienti më i lartë, 18, i takon vetëm presidentit të Kosovës.Paga aktuale e presidentes është 2.743 euro. Me projektligjin e ri, nëse vlera monetare e koeficientit është 120 euro, atëherë kjo pagë zbritet dhe është 2.160 euro.Niveli i koeficientit 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.Paga aktuale për këtë pozitë është 3.574 euro. Me projektligjin e ri me vlerë të koeficientit 120 euro, paga zbritet dhe atë në 2.100 euro.Koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe kryeministrit.Te kryeministri, i cili aktualisht pagën e ka 1.075.25 euro, me projektligjin e ri, nëse vlera monetare e koeficientit do të jetë 120 euro paga rritet në 2.040 euro.Rritje të pagave do të ketë për mjekët specialistë, mësimdhënësit dhe policët.Për mjekët specialistë, projektligji për paga ka vendosur koeficientin 12, ndërkaq, për mësimdhënës në shkolla fillore dhe ato të mesme të ulëta, koeficienti është 5.6.Paga aktuale e mjekëve specialistë është 600 euro, e cila me vlerë monetare të koeficientit 120 euro rritet në 1.440 euro.
Për mësimdhënësit në shkollat fillore, të cilët marrin pagë mujore 470 euro, me vlerë monetare të koeficientit 120, ajo rritet në 672 euro.Sipas projekligjit, mësimdhënësit në shkollën e mesme të lartë, do ta kenë koeficientin 5.8. Paga aktuale e një mësimdhënësi në shkollë të mesme të lartë është 525 euro, me vlerë monetare të koeficientit 120 rritet në 696 euro. Për mësimdhënësit në arsimin e mesëm të ulët, koeficienti me projektligjin e ri është 5.6.Paga e një mësimdhënësi në shkollë të mesme të ulët është 530 euro, me vlerë monetare të koeficientit 120 rritet në 672 euro.Me projektligjin e ri për pagat, koeficienti për policët është 4.4.Paga aktuale e një polici është 392 euro, ndërsa me vlerë monetare të koeficientit 120 euro rritet në 528 euro.Koeficienti më i ulët në këtë projektligj është 2 dhe ai iu takon pozitave si: rekrut/ kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.Projektligji për pagat e shërbyesve civilë ka paraparë edhe ulje të nivelit të pagës. Sipas këtij projektligji, vlera monetare e koeficientit mund të ulet vetëm me ligj dhe atë për situatat si në vijim:‘Një tronditje makroekonomike, e cila rezulton në zvogëlimin e të ardhurave dhe në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore sipas kuptimit të nenit 131 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës’.Projektligji duhet të kalojë procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike, si dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend, do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.Ky projektligj hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë veta.
Paga mesatare bruto për vitin 2021, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 484 euro.
Ligji i shfuqizuar kishte koeficientin 239 euro
Ligji paraprak për pagat e shërbyesve civilë i cili ishte shfuqizuar, kishte vlerën monetare të koeficientit 239 euro për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji.Raporti i koeficienteve sipas këtij ligji, ishte një me dhjetë.Ligji i pagave ishte miratuar një herë në shkurt të vitit 2019. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-s – institucioni i Avokatit të Popullit e pati dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç ka thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.Gjykata, më pas, ka konstatuar se ligji i miratuar nuk është në përputhje me 11 nene të Kushtetutës dhe se shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.Ligji është shfuqizuar dhe që nga ajo kohë ka mbetur pezull, kryesisht për shkak të zhvillimeve politike që kanë përfshirë disa palë zgjedhje në vend./REL