Gjergj Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit- Shkruan: Besim Muhadri
Hyrje
Vrasja e të vëllait nga hasmi-si e shkroi Fishta poezinë “Gjaksorvet”
Poeti ynë i shquar kombëtar, Gjergj Fishta, në vitin 1901, në revistën “Albania” të Faik Konicës, pati botuar poezinë me titull “Gjaksorvet”. Poezia në fjalë e Fishtës, e cila ishte shkruar në vitin 1899, trajton temën e gjakmarrjes, si njëra ndër plagët e mëdha të shqiptarëve ndër shekuj. Siç vërehet, këtë poezi ai e përfshiu në të gjithë botimet e vëllimit “Mrizi i Zanave”, të cilës ndoshta edhe nuk i është dhënë ndonjë rëndësi apo kujdes i veçantë për të kuptuar arsyen e një prezantimi të tillë të kësaj poezie në të gjitha botimet e këtij vëllimi poetik.
Studiuesi shkodran, Tonin Çobani, në vështrimin e tij për këtë krijim të Fishtës, pas rileximit të poezisë, pyetjes se cila mund të jetë arsyeja që studiuesit e veprës së Fishtës nuk janë marrë mjaftueshëm me këtë poezi, ai i shton edhe “pse”-në e mosmarrjes së studiuesve në mënyrë të mjaftueshmm me këtë poezi apo me arsyet e shkrimit të kësaj poezie nga ana e poetit tonë. Ndërkaq, në lidhje me këtë ai nxjerr në pah tre burime biografike, që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me përmbajtjen e poezisë “Gjaksorvet”, burime të cilat, gjithashtu, nuk janë vlerësuar sa duhet nga biografët e autorit të “Mrizit të Zanave”.
Sipas studiuesit Çobani, i cili për trajtim e ka marrë poezinë e Fishtës të botimit të vitit 1941 të “Mrizit të zanave”, të përgatitur nga profesori dhe filologu shqiptar françeskan, Viktor Volaj, “burimi i parë na vjen pikërisht nga Viktor Volaj, i cili, siç thekson ai “në hyrjen komentuese që i bën kësaj poezie, na sjell edhe një fakt mjaft tronditës nga jeta e Gjergj Fishtës. Ai na informon se në vitin 1899 Fishtës i kanë vrarë vëllain e madh, gjë që u bë “shkas për me u lëshue me këtë lirikë kundra gjaksorvet”(Çobani, 2020). Vdekje tragjike, e quan Danjel Gjeçaj këtë vrasje, që Fishta “e stigmatizoi dy vjet mbrapa në lirikën e përmendur nën titullin “Gjaksorve”. Biografët e tjerë të Fishtës, thuajse të gjithë, nuk i kanë kushtuar ndonjë vëmendje të mëtejshme kësaj ngjarje. Madje, ata nuk e përmendin thuajse fare, ndoshta, duke e menduar vetëm si shtysë të një prej lirikave, relativisht të shkurtra, ndërmjet mijëra vargjeve, që na ka lënë të shkruar poeti.
Burimin e dytë, Tonin Çobani e gjen te kujtimet e françeskanit Marin Sirdani, bashkëkohës i poetit, i cili, duke shpjeguar kohën kur kishte ndodhur kjo ngjarje, ai, njëkohësisht, tregon edhe veprimin apo reagimin e Fishtës (atëherë vetëm 27 vjeç), pas ndodhjes së kësaj vrasjeje që kishte tronditur tërë qenien e tij. Mirëpo, megjithatë, ai ishte treguar tejet i matur dhe kishte kontribuar qoftë në qetësimin e gjakrave, qoftë edhe në faljen e gjakut. Çka është edhe më madhështore, “ai ia del të bindë njerëzit e fisit të vet që “jo vetëm me e falë (gjakun), por edhe me u miqasue ata (të) dy sh(të)pi…” dhe fise, duke krijuar marrëdhënie kumbarie”(Çobani, 2014).
Burimi i tretë, është ai i Terenc Toçit[1], një intelektual i njohur për kohën dhe mik i poetit, i cili kur shkruan në kujtimet e tij për Fishtën, nuk duhet ta ketë ditur këtë fakt biografik. Por ai shpjegon se si Fishta, me oratorinë e tij të rrallë, pajtoi dhe i lidhi me një dasmë dy familje që kishin rënë në gjak, pasi, më parë, i kishin fejuar fëmijët e tyre qysh në djep, sipas një zakoni të kahershëm të atyre krahinave. Të paktën, nëse do të kishte dëgjuar diçka për dëshminë e Sirdanit, Terenc Toçi do ta lidhte rastin, që evokon, me ngjarjen që i kishte ndodhur vetë Fishtës në rininë e tij ose do të bënte një koment më tepër. Por jo.
Që të tri këto burime nga ana e Tonin Çobanit shihen si kontribute të pasurimit të aureolës së shndritshme të mitit mbi Fishtën, që, sa të rëndësishme në lartësimin e imazhit të një poeti, po aq edhe në dëmtimin e imazhit të tij. Kjo e dyta, sepse pengon komunikimin e brendshëm poetik, komunikimin me ngarkesën e plotë të vargut dhe ngjyrimet emocionale të fjalës së tij poetike. Kështu, të tre kumtuesit kanë krijuar tregime tërheqëse, për të dëshmuar aftësitë e Gjergj Fishtës si poet të frymëzimeve të qëllimta (Volaj), si misionar të devotshëm françeskan (Sirdani) dhe si orator sugjestionues (Toçi).
Vlerësimi i Fishtës për punën e Gjeçovit në përpilimin e Kanunit
Duke folur për “Randsinë e të mledhunit të ligjvet dokesore”, në Parathëninen e Kanunit, botimi postum, më 1933, Fishta flet për punën e rëndësishme të françeskanëve (të cilit rend i takonte edhe ai), në mbledhjen e folkloristikës shqiptare, duke veçuar me këtë rast At Shtjefën Konstandin Gjeçovin, si njëri ndër më të parët ndër ta, “qi me zéll, entuzjazm e duresë i u vû ksajë pune” (Fishta, 1933). Gjeçovit Fishta ia përmend meritat e shumta në mbledhjen e këngëve dhe valleve popullore, përrallave, bestytnive mitologjike, thënieve, kash e lashëve, lojërave, lojë fjalësh, fjalë sinonimeve” etj., për të ardhur deri te mbledhja e materialeve të mjaftueshme të cilat shërbyen apo krijuan kushtet për botimin e veprës “Visarët e kombit” apo “visarit komtar”, siç e thotë Fishta, blenin e parë, të cilën vepër do ta botojë në vitin 1910. Në këtë vëllim, Fishta tregon se hynin pjesa dërrmuese e materialeve të Gjeçovit, të mbledhura në pjesën e Shqipërisë veriore, apo, siç shprehet Gjeçovi, n’anë të Gegnís: “Edhè kshtû vjetin 1910 botuen të parin blê të ktij kolekcjoni folkloristik, nen titullin «Visari Komtar» të perbâm prej kangësh, vallesh popullore e rojmesh fmijsh, të mledhuna – sidomos prej A. Shtjefen Gjeçov – n’anë të Gegnís”.
Në këtë kontekst, Fishta përmend punën e jashtëzakonshme që kërkonte njohuri, kohë dhe durim të Gjeçovit në mbledhjen e materialit për Kanunin e Lekë Dukagjinit, materiale të cilat filloi t’i botonte në vitin 1913 në të përkohëshmen “Hylli i Dritës”:
“Gjatë ksajë kohe A. Sh. Gjeçov, tue vijue gjithnji me nji cenë e duresë të pa shoqe nder rmime të veta folkloristike, kishte bashkue shum materjal mbí Kanunin e Lekë Dukagjinit: e kúr Françeskâjt (1913) ndertuen të perkohshmen «Hylli i Dritës», nisi me botue m’tê numer per numer shinimet e pikzimet e veta mbí kanûn”(Fishta, 1933).
Fishta flet për rëndësinë e botimit të materialeve të Kanunit, që ai i quan studim si dhe për interesimin e studiuesve të huaj, profesorë dhe akademikë të niveleve evropiane për të, disa prej të cilëve kishin kërkuar autorizimin apo të drejtën për ta përdorur për nevoja studimesh në veprat e tyre: “Botimi i ktij studjimi të tij mbí kanûn kje pritë me entuzjazm prej Shqyptarësh e prej dijetarësh jashta Shqypnijet. – Disá profesora Akademísh e Universitetesh: nder të cillët edhè Thallòczy: me inzistenca të mdhá lypen prej drejtimit të së perkohshmes autorizimin, qi me mûjtë e me perdorue ato studjime nder vepra të veta”(Fishta, 1933).
Për punën përkushtuese dhe këmbëngulëse të Gjeçovit në mbledhjen dhe rrombullakësimin deri në fund, siç duket i shtyrë dhe i mbështetur nga vet ai, Fishta e cilëson të rëndësishme dhe tepër interesante, por që u ndërpre për shkak të vrasjes në mënyrë mizore në Jugosllavi, me ç’rast përveç mbetjes në gjysmë të punës, në mbledhjen dhe përfundimin e veprës në fjalë, humbën edhe ato materiale që ishin mbledhur jo vetëm rreth kanunit, por edhe shumë të tjera të Gjeçovit gjatë shumë viteve dhe në shumë fusha, gjë që paraqesin një humbje të madhe për kulturën shqiptare.
Fishta, në parathënien e Kanunit, flet edhe për angazhimin e tij dhe të françeskanëve të tjerë që pas vrasjes së Gjeçovit mblodhën materialet e botuara në revistën “Hylli i Dritës”, në mënyrë që ta botonin si libër Kanunin, duke i ngritur kështu Gjeçovit një përmendore të pavdekshme, por duke i bërë edhe një shërbim të shkëlqyeshëm mbarë kombit shqiptar:
“Nderkaq A. Shtjefni vijote pa i a dá kurr nder rmime e studjime mbí kanûn, edhè pat shtue materjal tjeter të rí kshtû, qi botimi definitiv i kanunit do të kishte dalë, nen ç’do pikpame, nji veper pernjimend fort e interesantshme. Veç shka se u vrá mizorisht në Jugoslaví, e i hupen edhè dorshkrimet, posë qi vepra i mbet pa krye. Tash, Françeskâjt i kan bâ bashkë kto studjime t’A. Shtjefnit Konst. Gjeçov, të botueme rresht mbas rreshti në «Hýll të Dritës», e po botojn tok në nji liber: të sugurtë se me ket veper i ngrefim nji pomendore të padekshme êmnit t’Autktorit, e nji sherbim të pelqyeshem marë komit shqyptár”(Fishta, 1933).
Pra, shprehja “u vrá mizorisht në Jugoslaví, e i hupen edhè dorshkrimet”, përveç mënyrën dhe fatkeqësinë e vrasjes së një punëtori të palodhur të kulturës e të shkencës shqiptare, ai tregon edhe përmasën e pakompensueshme të tragjikës së kësaj vrasjeje, e cila rezultoi edhe me humbjen e dorëshkrimeve të shumta të Gjeçovit, që janë një tjetër humbje për kulturën shqiptare. Nga ana tjetër, botimin e “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, të mbledhur dhe të kodifikuar nga ana e Shtjefën K. Gjeçovit, Fishta e cilëson si një shërbim të dobishëm që i bëhet kombit dhe shtetit:
“Me të vertetë se neper botim të «Kanûnit të Lekë Dukagjinit» i bâhet komit nji sherbim i dobishem, mbasì per ç’do Shtet, qi thotë, se do me jetue e me zhvillue mbas parimeve t’arsyes e të hullís së gjytetnís së vertetë, ligjët gojdhânse e qi permblidhen në kanunin doketar të komit, kan nji randsí të madhe fort në vetvedi: e se prandej duhen pasë para sýsh prej gjith njatyne, qi presin e zbatojn ligjët e Shtetit”.
Prandaj me gjith arsye tham, se botimi i «Kanunit të Lekë Dukagjinit», perpilue prej A. Shtjefnit Konst. Gjeçov, O.F.M. – dritë pasët! – i sjell komit nji sherbim të dobishem, të pelqyeshem”(Fishta, 1933).
Dilema rreth autorësisë së Kanunit: Pse Kanuni i Lekë Dukagjinit?
Në pjesën e fundit të Parathanies që i bën “Kanunit”, Fishta trajton problemin, ndoshta ndër më të diskutuarit, për të mos thënë edhe më të kontestuarit, siç është ai i emrit apo i titullarit të Kanunit: A quhet dhe pse quhet Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe a është i Lekë Dukagjinit apo i dukujt tjetër? Këtë apo këto pyetje e (i) kanë shtruar edhe shumë të tjerë gjatë kohës së Fishtës, por edhe pas vdekjes së tij, prombelmatikë e cila vazhdon të shtrohet e të trajtohet edhe në ditët e sotme. Prandaj, duke qenë njëri nga ata që jo vetëm e botuan veprën me të njejtin emër, pas vdekjes së Gjeçovit, të atij që e kishte mbledhur dhe kodifikuar, Fishtës, i cili edhe e kishte këshilluar dhe ndihmuar, madje edhe ideuar padyshim, i takonte të merrej edhe me sqarimin, por edhe elaborimin e kësaj dileme.
Fishta, në atë kohë, e shihte të nevojshme por edhe të rëndësishme të pasurit në formë të shkruar një dokument të tillë të dokeve, zakoneve, por edhe rregullave dhe ligjeve të një populli, duke pasur paraysh se kode të ngjashme kishin edhe shtetet e tjera me tradita të gjata shtetërore, prandaj edhe vetë Turqia. Në studimin e tij, ai merret edhe me zbërthimin dhe me shpjegimin e fjalës “kanun”, që nënkupton se ai ishte marrë gjatë dhe kishte gjurmuar nëpër libra dhe dokumente relevante të kohës që kishin të bënin me veprën apo me natyrën e veprës në fjalë. “Fjala kanûn, shpjegon Fishta, s’ká dyshim, se etimologisht rrjedh prej fjalet greqishte «kanón», qi don me thânë : mastár – njajo vegel drunit a e ndonji brumit tjeter, qi vien me terhjekë viza të ndrejta. Metaforikisht shenjon shtillin e ligjvet gojdhânse e të pa kodifikueme, mbas të cillave hecte dikúr hullija e jetës e e veprimit të popullit shqyptár”(Fishta, 1933).
Ndërkaq, në përgjigje të pyetjes që ka të bëjë me mbiemrin apo autorësinë (titullarin) e Kanunit, sipas Fishtës kjo është “nji çashtje e cilla enè nuk âsht zhvillue krejt mirë e me sugurí të plotë”. Në mesin e atyre studiuesve të cilët kanë dilema rreth emrit dhe “pronësisë” së kanunit (pra Lekë Dukagjini), Fishta citon mendimet e studiuesin e njohur kroat Dr. Milan Šufflay, të shpërfaqura në librin “Serbët dhe Shqiptarët”, ku në mes tjerash thotë (citojmë Fishtën): «Gojdhâna, mbas së cillës këto zakone ligjare të quejtuna me êmnin «Kanuni i Lekës», âsht në lidhje me Lekën III. Dukagjinin» (1459-1479). E vertetë se Auktori i famshem, nuk thotë, se ky Lekë Dukagjini III. ká permbledhë e kodifikue Kanunin në fjalë; por prej do vendeve tjera të librit të tij të sypripermendun mund të thohet edhè, se pernjimend Kanuni ká mûjtë me kênë kodifikue prej Lekës III” (Fishta, 1993).
Fishta ndalet edhe më shumë te vepra e historianit kroat dhe te mendimet e tij në lidhje me Kanunin, përkatësisht për aspekte që kanë të bëjnë me kodifikimin e ligjeve në Shqipëri, për të mundur të besojë se edhe Kanuni dikur ka qenë i kodifikuar:
“Prej vepret të citueme të Dr. Šufflay theksohen do fakte, qi mund të kenë të perpjekun me kodifikim të ligjvet në Shqypní. Qe nji herë Auktori thotë, (f. 23 et seq.) se që prej së të tremdhetes qindvjete nder do gjytete të Shqypnís gjindeshin zyre noterjale, kû u shkruejshin e prej kahë u perhapshin lajmet gjygjtare të vendit”
Dhe, nëse Shuflaj thotë se “disá nder kryetarë fisesh në Shqypní u naltsuen në dinast të pamvarun”, Fishta është i bindur se këta “dukë e princa, qi drejt për së drejti e n’êmen të vet lidhshin besë e merrshin e epshin me Shtete të mdhá t’Europës, s’do të kenë lânë mbas dore kodifikimin e ligjvet per vise të veta: mbasì aso kohe u gjindshin kso ligjësh e kso statutesh të kodifikueme’, që Fishtën e shpie te konstatimi se “âsht të gjith gjasa se «Kanuni i Lekë Dukagjinit» dikúr ká kênë i kodifikuem”, ndërsa konsatimin e tij e ndërlidhë edhe me anlogjitë e shumta, “qi ligjët e Kanunit te sodshem kan me ligjë të Romës, të Byzantit, të Serbvet” (Fishta, 1993). Fishta dyshon se Kanuni i kodifikuar i Lekës ka humbur pas pushtimit të Shqipërisë nga ana e Turqisë: “ Merret vesht prej vedit, se, mbas të hîmit të Turqvet në Shqypní, «Kanuni i Lekës» ká hupë si formë kodi, e âsht perdhosë si landë drejtsije” (Fishta, 1993).
Fishta ndalet edhe te pjesa e pyetjes që ka të bëjë me viset e zbatimit të Kanunit, për përgjigjen e së cilës, siç thotë ai, mungojnë shënimet pozitive. Madje ai e përdor shprehjen “mjerisht”, prandaj mundohet që këtë përgjigje ta japë në mënyrë të përgjithësuar duke i spjeguar viset apo vendet e zbatimit të Kanunit, ku “ká pasë vlerë legale nder Lekë (Malsorë të Mbíshkoders) e në Dukagjin. Ai përmend mandej edhe shprehjet që janë përdorur për Kanunin, të cilin njëra palë e kanë quajtur Kanuni i Lekë Dukagjinit, jo për shkak të kodifikuesit (Lekë Dukagjinit), por për shkak të zbatimit në viset e quajtura Lekë e Dukagjin, pra Kanuni Lekë – Dukagjin e jo i “Lekë Dukagjinit. Mirëpo, meqenëse si çështje kjo mbetet e pasqaruar mirë, ai këtë punë ia lë historisë, sado që ai është i bindur se Kanuni quhet i Lekë Dukagjinit, të cilin emërtim deri në ditët tona e ka sjellur gojëdhëna. Duke qenë i bindur në këtë, edhe libri i Gjeçovit, pas vdekjes, u titullua Kanuni i Lekë Dugagjinit, nga ku mund të “dyshohet” se në emërtimin e librit ka “dorë” vetë Fishta.
Variantin e gjeografisë së aktivizimit apo të zbatimit të Kanunit të cilën e jep Fishta në Parathanie, Tonin Çobani e cilëson si tepër të ngushtë. Çobani e plotëson atë me studimet e mëvonshme, të cilat e kanë zgjeruar territorin e shtrirjes së Kanunit të Lekë Dukagjinit, ku përfshihen edhe Nikaj-Mertur, Kosovë e më gjerë. Ekzistencën e Kanunit në Kosovë Çobani e ndërlidh me vitin 1871, vit në të cilin valiu i Prizrenit kishte dhënë urdhër të mblidhej e të botohej Kanuni i Lekë Dukagjinit. Pastaj ai tregon edhe për vitet 1873 – 1874, kur përhapja e kanunit bëhet edhe ndër malazez gjatë kohës kur mblidheshin pyetësorët për të hartuar kushtetutën e Malit të Zi. Pastaj shtrirje tjetër të Kanunit të Lekë Dukagjinit Tonin Çobani përmend edhe gjetjen e gjurmëve të tij edhe në zonën Burrel – Dibër, por edhe në vise dhe krahina të tjera të Shqipërisë madje edhe në jug të Shqipërisë.
Pavarësisht këtyre, Fishta, në kapitullin e katërt të parathënies, të titulluar “Kanuni i Lekë Dukagjinit në pikëpamje juridike”, këmbëngul se në kohën e pushtimit otoman të Shqipërisë Kanuni “ka pasë vlerë juridike e asht njehë për ligj civil detyrues ndër male të Mbishkodrës e në Dukagjin”.
Fishta për Kanunin dhe gjakmarrjen
Nga studiuesit Gjergj Fishta është cilësuar si njëri më kompetentët e temës së gjakmarrjes… Pikëpamja e tij në lidhje me gjakmarrjen ishte se “Marrja e gjakut ka qenë një veprim i drejtë, i ligjshëm dhe i dobishëm për gjithë periudhën që Shqipëria ka qenë pa shtet”, që do të thotë deri më 1912, kur kemi lindjen e shtetit të pavarur shqiptar. Ndërkaq, pas kësaj kohe, përkatësisht në kohën e mbretërisë, Fishta do të thoshte se “Jo vetëm kundërshtarët e komit, por edhe shumë do pedanta vendas e muhaxhirë të shtetit shqyptar, Kanunin e mbajnë ligjë barbarë e popullsinë ku kanuni pat vlerë juridike për njerëz të egjër”, duke theksuar më tutje se në themel të këtij konceptimi “padyshim asht: ‘gjaku’ – edhe la vendetta”(Fishta, 1999)[2].
Sipas Fishtës kundërshtarë të kombit, janë armiqtë e jashtëm, shovinistët e vendeve fqinje dhe mbështetësit e tyre evropianë, të cilët formuluan tezën sipas së cilës, shqiptarët janë të paaftë për të krijuar shtetin e tyre, duke pasur paraysh gjakmarrjen, tezë të cilën Fishta e kundërshtonte, duke sjellur argumente bindëse edhe nga aspekti historik, por edhe shkencor: “Duket mirëfillit se prej të marrunit të gjakut – vendetta – nuk mund të thuhet se kombi shqyptar asht barbar e që nuk asht i zoti me u qeveris në vetvedi i pamvarshëm”. Ndërkaq, duke u nisur nga aspekti historik, ligjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit Fishta i krahason me ato të Romës, Bizantit, por edhe me ato të “Kanunit doksuer të teutonëve, të sllavëve, hindianëve, ase (që) nuk hyjnë në rrethin e ligjeve barbare”. Kurse në aspektin antropologjik te Fishta kemi klasifikimin në pesë shkallë të kulturës e qytetërimit të popujve. Sipas këtij klasifikimi, Shqipëria rangohet në shkallën e tretë, me karakteristikën kryesore të realizimit të së mirës së përbashkët. Këtë Fishta e ndërlidh me zotërimin e parimit të lirisë, nderit e të burrnisë. Pra, sipas Fishtës: “Gjithkund zotëron parimi i lirisë, i nderit e burrnisë”.
Më aspektin juridik, Fishta vlerëson se drejtësia që jep Kanuni krahasohet me drejtësinë e çdo gjykate evropiane, të cilat si qëllim kanë shpëtimin e shoqërisë nga elementët e rrezikshëm, apo, siç shprehet ai “me pshtue shoqninë prej nji elementi të rrezikshëm, përndryshe nuk asht barbar”. Pra, siç shihet, dobia e Kanunit, në këtë aspekt, ka karakter ndalues të vrasjes:
“Shqiptari pra tue vra gjaksin e vet, nuk ban tjeter veçse me e çue në vend nji ligj, qi ai e mban për të drejtë…..gjaksi i Luigjit XVI, kur i preu kryet… e mbyti pse mendonte se ligja asht e mirë, e arsyeshme… e as nuk thotë kush sot se kje barbar” (Fishta, 1999).
Fishta bën edhe një analizë më të hollësishme, duke treguar shembullin kur një person mund të gjejë strehim në krahinat e tjera, pas kryerjes së krimit të vrasjes. Këtu tregohet norma kanunore e “prerjes së mikut”, në bazë të të cilës ai bëhet i paprekshëm. Në të kundërtën, mund të ndodhnin konfrontime apo luftë civile me armë midis krahinave. Dhe, për të mos ndodhur kjo gjë, njohësit e Kanunit, apo pleqtë e Kanunit marrjen e gjakut ia ngarkuan individualisht shtëpisë së viktimës , vendime të cilat , siç thotë Fishta “kanë kenë njoftë zyrtarisht prej sovranit të vendit qi ishte Sulltani i Stambollit” (Fishta, 1933).
Duke e trajtuar fenomenin e gjakmarrjes në aspektin psikologjik, Fishta konstaton se pas këtij akti mund të ndodhnin edhe akte të tjera. Për të zhdukur çdo kompleks negativ, në këtë rast, ndjenjën e urrejtjes, apo marrëdhëniet përkohësisht në armiqësi midis dy familjeve, shkohet edhe deri te lidhja e miqësive (fejesave e martesave) por edhe kumarive të reja. Këtë akt të cilin e përmend, Fishta e “promovoi” me rastin e faljes së gjakut të vallait të tij.
Sipas Fishtës “ vrasja e gjaksit në pikëpamje psikologjike nuk asht nji vendettadan edhe prej faktit se dy familjet marrin e apin me njena – tjetren si me të gjitha familjet e tjera të bajrakut, mos tjeter n`at masë sa shtetet e qytenueme t`Europes mbas luftës botnore…Për ne e marrshim punën në pikëpamje psikologjike, unë tham se puna e gjakut … asht rezultat i do mendorjeve qi nuk mvaren prej shpirtit të këtij kombi” (Fishta, 1933).
Për të argumentuar tezën e vet, Fishta shkon edhe përtej kohës së tij, madje edhe deri te leterësia antike greke, përkatësisht te Iliada e Homerit, por edhe te libri i Shenjtë, Bibla.
Përfundime
Parathënia e Fishtes bërë “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, i mbledhur dhe i kodifikuar nga Shtjefën K. Gjeçovi, mbetet një nga studimet e para, jo vetëm për Kanunin dhe aspektet e shumta që ndërlidhen me të. Fishta është edhe studiuesi i parë i jetës dhe veprës së Shtjefën Gjeçovit, të cilin e kishte mik e bashkëpunëtor të ngushtë dhe më të cilin bashkërendonin punë e projekte të shumta kulturore e etnografike. Në këtë kontekst duhet parë edhe Kanunin, i cili siç thotë Fishta, mbeti i papërfunduar nga ana e Gjeçovit, për shkak të vrasjes mizore, ku ai nuk ngurron aspak të thotë se përveç autorit të nderuar, humbën edhe dorëshkrime të shumta, që ndërlidheshin edhe me veprën në fjalë.
Studimi i Fishtës për Kanunin dhe Gjeçovin, ashtu sikurse edhe shënimet biografike nga ana e Pashko Bardhit, janë studime bazike, në të cilat vazhdojnë të orientohen të gjithë studiuesit e tjerë, që nga viti i botimit (1933), e ndoshta edhe më herët, që kur ai filloi të botohej në revistën “Hylli i Dritës”. Prandaj, me të drejtë, Fishta mund të konsiderohet studiuesi i parë i Kanunit dhe i mbledhësit dhe kodifikuesit të tij, Shtjefën Konstandin Gjeçovit.
Referencat
Gjeçov, Shtjefën K. O.F.M: Kanuni i Lekë Dukagjinit, “Botime Françeskane”, Shkodër, 1933.
Gjeçov, Shtjefën K. O.F.M “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, Shtëpia Botuese “Kuvendi”, Shtypur në shtypshkronjën “GEER”, Tiranë, 1999.
Çobani, Tonin . Gjergj Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, Botimet Fishta, 2014, f. 51.
Çobani, Tonin. Vrasja e të vëllait, një akt tronditës në jetën e Gjergj Fishtës, “Gazeta Vatra”, 30.05.2020.
Muhadri, Besim. “Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, Universiteti i Gjakovës “F. Agani”, Gjakovë, 2020.
[1]? Terenc Toçit. Terenzio Tocci (Strigàri, 9 mars 1880 – Tiranë, 14 mars 1945) qe një jurist, botues, publicist, shkrimtar, nëpunës dhe patriot romantik arbëresh në Shqipëri. Gjykohet nga Gjyqi Special që e dënon me vdekje dhe pushkatohet.
[2]?Shtjefën Gjeçov O.F.M “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, Shtëpia Botuese “Kuvendi”, Shtypur në shtypshkronjën “GEER”, Tiranë, 1999, f. 27, 30.
/ExLibris/