Dorëhiqet një gjykatës gjerman nga Gjykata Speciale 
Mihael Bolander u dorëhoq nga pozita e tij prej gjyqtari në Gjykatën Speciale, njoftuan Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton gazeta online “Reporteri.net”.Bolander i dorëzoi dorëheqjen kryetares së kësaj gjykate Ekaterina Trëndfilova, thuhet në njoftimin e publikuar për media.
“Sot, gjykatësi Mihael Bolander i dorëzoi Kryetares Ekaterina Trendafilova dorëheqjen e tij si gjykatës në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK). Gjykatësi Bolander, i cili dha dorëheqje për arsye personale, deklaroi se ndihej i nderuar që kishte shërbyer si gjykatës i DHSK-së”.
“Kryetare Trendafilova shprehu mirënjohjen e saj të sinqertë për kontributin e gjykatësit Bolander në mandatin e DHSK-së, përfshirë edhe, së fundi, si anëtar i panelit të parë të Gjykatës Supreme”, përfundon njoftimi.
Gjykatësi Mihael Bolander (Gjermani) ka punuar nga viti 2015 deri më 2019 si gjykatës hetimor ndërkombëtar në Dhomat e Jashtëzakonshme në Gjykatat e Kamboxhias; Ai u ricaktua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, më 22 Prill 2020.
Që nga viti 2004, ai ka punuar si profesor i të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Durhamit. Gjatë periudhës 2010-2014, gjykatësi Bolander punoi si profesor i jashtëm i të drejtës penale në Universitetin e Groningenit (Holandë), dhe më 2012 dha mësim në Universitetin Al-Azhar (Egjipt), si akademik i jashtëm.
Që prej vitit 2001, ai është angazhuar në trajnimin gjyqësor, ndër të tjerë, të gjykatësve të Tribunalit të Lartë të Irakut dhe në këshillimin e qeverive. Gjatë periudhës 1991-2004, z. Bolander ishte gjykatës për çështje penale dhe civile në Tyringen (Thüringen) në Gjermani.
Më 1996, ai ishte jurist i jashtëm në një gjykatë të shkallës së parë dhe për hetime paraprake në Spanjë. Gjatë periudhës 1999- 2001, punoi si jurist i lartë në një nga Dhomat Gjyqësore të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.