Çaste poetike me poeten;Hana Xhihani
NË ËNDRRËN E NJË DIMRI
Dremiste ëndrra n’atë natë dimri
kur, befas, erdhe të më takoje ti,
me fytyrën tënde ngjyrë paqeje
nga shqisat pa dashje binte shi.
Duke zbrazur kujtimet e tua,
përqafimet mbushnin atë natë,
malli në kopshtin e ëndrrave
qetësisht shfaqej si guri zhadë.
Puthjet e ëmbla mbi qepallë
skaliteshin si poezi e shkruar,
orës akrepat «ia shkula» pa fjalë,
kjo ëndërr mos kish të mbaruar.
Do të doja një dozë mrekullie,
Të bëhesha një hije, pa emër,
Të ndiqja një frymëz dashurie,
Ta përqafoja, t’i thosha: Zemër!
E magjishme këmisha jote e hollë, letër.
Butësia e saj nostalgji pa pendime,
Rrethuar në dantellë si një poemë e vjetër,
Mbërthen me kopsë plot ëndrra, vegime…