Fryma poetike e së mërkurës me poeten;- Rozafa SHPUZA
Autoportret
————————————
Jam fleta e njëqindtë e nji albumi bardhezi
ku dasmat e mortet,
ndry ndër kuadrate simetrike,
rreken me ekuilibrue gazin e lotin.
N’vallen e fotografive, me cepa t’njitun
n’nji simetri surreale
rri në kambë
me krye t’anuem paksa
e sy të zmadhuem prej teka blicesh.
Murlanin e la me m’krehë krrelat
kurse prej biçikletes Mifa më mbet shenja n’gju.
Shtati m’u kërrus prej dimnash hujli
të thurun me gjypnerë hejsh
e zani jem i përgjet refrenit të jareve.
Jam fleta e njëqindtë
gati me u shfletue
sa herë dashnitë tubohen ndër përvjetorë
e m’lidhin si Promete me shpërgaj kujtimesh.
Nuk kam adresë…
kartëvizita jeme
asht rruga prej te Dugajt deri përtej,
pos ditve me shi
kur vetimat ma nderin portretin
n’atë telin e odës s’errët
ku lahen tana mëkatet e mia…
/www.QendraPress.com/