Zbulohet shkaktari i zhurmës së madhe që mbrëmë në mesnatë u dëgjua në Prishtinë, e që shqetësoi shumë qytetarë

          Mbrëmë rreth orës 00:00, në Prishtinë u dëgjua një zhurmë e madhe, e cila edhe duket se shqetësoi shumë banorë të kryeqytetit.Shumë qytetarë të Prishtinës mbrëmë rreth mesnatës u frikësuan nga një zhurmë e madhe e cila ndodhi dy herë radhazi në intervale të shkurtra kohore. Kjo u kuptua nga shumë reagime e pyetje që banorët e kryeqytetit ngritën në rrjetet sociale.Përgjigjet ishin të ndryshme. Pati nga ato që do të kenë mundur të rrisin panikun edhe më shumë se sa ajo zhurmë. “Prite tërmetin nesër në mëngjes”, kishte shkruar dikush, duke e lidhur këtë, ndoshta me tërmetin në Turqi dhe Siri, dhe konspiracionet rreth kësaj teme, se ajo dridhje e tokës është shkaktuar nga dora e njeriut, përmes teknologjisë së avancuar të satelitëve.Megjithatë, i gjithë ky shqetësim, del të ketë ardhur nga një avari në njërën nga termocentralet e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës.Gazeta Online Reporteri.net, ka mësuar se zhurma është shkaktuar nga blloku A4 i KEK’ut.Një zyrtar i KEK’ut i ka thënë Gazetës Online Reporteri.net, se mbrëmë rreth orës 00:00, ka pasur një avari në termocentralin A4, i cili edhe ka rënë nga sistemi. Sipas tij, kjo zhurmë është e zakonshme në këto raste. Ndërsa, pse ajo është dëgjuar aq fortë deri në kryeqytet, mund të ketë ndodhur shkaku i kushteve të favorshme atmosferike.
“Mbrëmë ka qenë qetë, pa erëra e të ngjashme, pra kushte të volitshme atmosferike, që të dëgjohet ajo zhurmë”, ka thënë ky zyrtar.Përveç këtij informacioni zyrtar, ka pasur edhe shumë qytetarë që jetojnë në Obiliq dhe fshatrat për rreth që kanë dhënë të njëjtën përgjigje duke reaguar në rrjete sociale, si përgjigje qytetarëve të shqetësuar. “Unë jetoj në Shkabaj, dhe zhurma erdhi nga KEK’u”, ka qenë një nga sqarimet në reagimet e qytetarëve të shqetësuar nga zhurma. /Reporteri.net