Fryma poetike e së dielës me poeten;- Luljeta F.LUBOVCI

JETË E DYFISHTË
————————————–
Në shtëpi, burrë i urtë, baba i përkushtuar,
me buzëqeshje mbulon çdo mbrëmje e çdo agim.
Fëmijët e presin si diellin në prag,
gruaja i fal zemrën pa asnjë dyshim.
Por jashtë atyre mureve të shenjta,
vishet me një fytyrë krejt tjetër njeri.
Fjalët që dikur ishin vetëm të gruas,
ua dhuron të tjerave, pa turp e pa mëshirë.
Dy unaza mban në ndërgjegje,
njërën prej ari, tjetrën prej gënjeshtre.
Një jetë e ndërtuar mbi besë,
e tjetra mbi hije që s’gjejnë kurrë dritë.
Nuk është trim ai që fsheh tradhtinë,
as ai që zemra i endet nga një portë në tjetrën.
Trim është ai që ruan betimin,
edhe kur tundimet i trokasin në derë.
Sepse tradhtia nuk copëton vetëm një zemër,
ajo rrëzon një shtëpi, një ëndërr, një fëmijëri.
Dhe kur e vërteta troket pa mëshirë,
maska bie… ndërsa turpi mbetet përjetësi.
Jeta e dyfishtë mund të zgjasë për një kohë,
por e vërteta ecën gjithmonë me hapa të ngadaltë e të sigurt.
Kur ajo mbërrin, askush nuk mund
t’i fshihet pas hijes së gënjeshtrës.
/QendraPress/