Takimi në Bruksel, Osmani: Moment pozitiv, por janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vlerësuar se takimi i 27 shkurtit në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të BE-së dhe mbështetjen e ShBA-ve, shënon moment pozitiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.Kështu ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes. Ai ka shtuar se presidentja Osmani ka vlerësuar gjithashtu se takimi i djeshëm i kontribuon paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon.Sipas tij, Osmani ka theksuar se me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetë menaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe.“Presidentja e Republikës së Kosovës vlerëson se nëse marrëveshja zbatohet në mënyrë burimore, ajo do të përcaktonte parime të rëndësishme për relacionet ndërmjet palëve, duke i vendosur si të barabarta, me respekt reciprok dhe në përputhje me parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë parimin e respektimit të integritetit territorial.Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit. Presidentja Osmani thekson se çdo rezultat i dialogut duhet ta ruajë integritetin territorial, sovranitetin dhe funksionalitetit e brendshëm të Kosovës”, ka thënë Kupina për Telegrafin.Kupina ka shtuar se presidentja Osmani vazhdimisht ka thënë sikurse ka nënvizuar edhe presidenti Biden, se procesi i dialogut duhet të përmbyllet me njohjen reciproke, ndaj Plani Evropian mund të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi.“Presidentja konsideron se fjalën përfundimtare rreth kësaj marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës, meqë preken kategori kushtetuese të parapara në nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Kupina.