“Kosova vlerë e shtuar për KiE, shumë shpejt atje do të valëvitet flamuri jonë”, çfarë thanë Kurti e Osmani pas kalimit të etapës së parë për anëtarësim
Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme sot, mori vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Pas kësaj etape të parë të kaluar nga Kosova, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se flamuri jonë shumë shpejt do të valëvitet në Këshillin e Evropës.
Në një reagim që pati, Osmani falënderoi të gjitha shtetet anëtare që treguan mbështetje për Kosovën, e siç tha ajo në radhë të parë për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut.
“Së shpejti, flamuri i Republikës së Kosovës do të valëvitet edhe në Këshillin e Evropës. Faleminderit aleatëve tanë që sot votuan jo vetëm për Kosovën, por mbi të gjitha për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut”, shkroi Osmani.
Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se shteti ynë do të jetë një vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës.
Përmes një reagimi në Facebook, kreu i ekzekutivit tha se KiE do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë.
I pari i Qeverisë gjithashtu falënderoi edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ministren Gërvalla, zëvendësministrin Ahmeti dhe ekipet e tyre për punën e pandërprerë, si dhe partnerët tanë e shtetet anëtare, për përkrahjen e pakursyer.
Ndërsa, Ministrja Gërvalla tha se ky vendim i sotëm përbën hap historik për Kosovën, e sipas saj, më i rëndësishmi pas pavarësisë.
Ajo tha se mbetet edhe shumë punë për t’u bërë pasi procesi i anëtarësimit në KiE është i gjatë, por ajo shpreson se Kosova në fund do të zërë vendin që meriton si anëtare.
“Këshilli i Ministrave vendosi t’i transmetojë Asamblesë Parlamentare për konsultim letrën e datës 12 maj 2022 drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës (dokumenti DD(2022)200), pa cenuar shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kësaj kërkese për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim./Reporteri.net/