Krasniqi: Komunat e Kosovës po zbrazen si pasojë e një qeverie të paaftë dhe të dobët
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një takim të përbashkët ka takuar sot anëtarët e Kryesisë dhe deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.“Kryetari Krasniqi vlerësoi lartë angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend, ku në sesionin e ri parlamentar, përveç çështjes së energjisë, ata kanë ngritur tema me rëndësi për qytetarët e Kosovës të cilët po ballafaqohen me shumë vështirësi, si pasojë e një qeverie të paaftë dhe të dobët”, thuhet në njoftim, përcjell Reporteri.net.Gjatë takimit të përbashkët mes anëtarëve të Kryesisë dhe deputetëve të PDK-së, u diskutua edhe për nevojën e zgjerimit të komunikimit më të madh me qytetarët e vendit, pa dallim, për të parë nga afër nevojat dhe kërkesat e tyre, si dhe për të definuar mënyrat e adresimit sa më të mirë e më serioz të tyre. Kryetari Memli Krasniqi theksoi se nga vizitat që ka në vazhdimësi në teren, vërehet një zbrazje e madhe e komunave të Kosovës si pasojë e emigrimit masiv të qytetarëve, si rrjedhojë e humbjes së shpresës se kjo qeveri mund të ndërtojë një perspektivë pozitive për ta.“Sipas shifrave dhe analizave, fatkeqësisht, ata të cilët po lëshojnë më së shumti Kosovën në dy vitet e fundit janë pikërisht rinia, e cila në një situatë tjetër do të duhej të ishte forca më e madhe për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit.”, njofton PDK.Kryetari Krasniqi tha se e kupton zhgënjimin e të rinjve në kërkim të një jete më të mirë, megjithatë, shtoi se ata duhet të kenë besim te mundësitë që ofron Kosova, përkundër sfidave të kohës me të cilat po ballafaqohen./Reporteri.net/