Më shumë se 1 milion euro dëme në bujqësi nga vërshimet e janarit, bujqit presin kompensim
Vërshimet e muajit janar që kishin përfshirë komuna të ndryshme të Kosovës, pas vete lanë dëme edhe në bujqësi. Sipas Komisionit Qendror për Vlerësimin e Dëmeve, vlera e dëmeve që ishte shkaktuar në tetë komuna ishte mbi 1 milion euro. Bujqit ankohen se kompensimi i dëmit nuk është bërë ende. Ndërkohë, nga Qeveria nuk kanë treguar për Radio Kosovën nëse është bërë kompensimi.Nga vërshimet e janarit dëme kanë pësuar bujq nga Skenderaj si komuna më e goditur nga vërshimet, por dëmet nuk kanë munguar as në komunat e tjera.E ndërkohë ende kompensimi i këtyre dëmeve nuk ka filluar.Komisioni Qendror për Vlerësimin e Dëmeve ka thënë se tashmë e ka përfunduar raportin për dëmet në komunat: Skenderaj, Klinë, Podujevë, Pejë, Junik, Deçan, Istog dhe Mitrovicë e Veriut.“Vlera e dëmit të shkaktuara në bujqësi nga vërshimet e janarit 2023 në komunat e lartcekur është pak më shumë se 1 milionë e 84 mijë euro. Raportin e kemi dorëzuar në zyrën e arkivit të Kryeministrisë dhe nuk kemi informata se a është bërë ndonjë kompensim”, ka thënë nëpërmjet emaili, Kastriot Lajqi – kryesues i Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve.Radio Kosova ka pyetur edhe Zyrën e Kryeministrit nëse është bërë kompensimi i dëmeve të shkaktuara në bujqësi. Por, përkundër interesimit dhe pritjes disa ditore nga ky institucion nuk janë përgjigjur.Se akoma nuk janë kompensuar bujqit e thotë kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri. Kompensimi i dëmeve është shumë i nevojshëm thotë ai, teksa shton se nuk e di se kur mund të ndodhë kjo.“Nëse nuk kanë mjete për kompensimin e dëmeve më mirë do të ishte që Ministria e Bujqësisë të dalë publikisht dhe të thotë se nuk kemi mjete me iu dalë në ndihmë bujqve dhe bujqit të llogarisin në forcat e veta për gjetjen e rrugëdaljeve sipas mundësive që kanë. Mirëpo, në mungesë të informacioneve bujqit kanë mbetur në pritje të kota të cilat po i çojnë në mos zgjidhjen e problemeve”, tha ai.Edhe profesori i bujqësisë, Imer Rusinovci, thotë se bujqit e dëmtuar duhet kompensuar.“Shkalla e dëmeve duhet të kompensohet për vlerën që ka pësuar fermeri. Ministria duhet t’i kompensojë ata që janë dëmtuar, gjithmonë konform monitorimit në terren, real e faktik”, tha ai.Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ditë më parë paralajmëroi se së shpejti pritet të kompensohen fermerët e dëmtuar nga vërshimet e janarit.