Fryma poetike e së dielës me poeten: -Irma KURTI

Fragmenti i një rruge

———————————

Ti largohesh ngadalë në udhën e gjatë,

era luan e shkujdesur me flokët e tu,

të shikoj, siç shikohet një kalimtar,

unë, që për ato flokë çmendesha dikur.

Sa herë gishtat më plekseshin në to,

sa herë humbja në përqafime e puthje,

ëndërroja që ndjenja të zgjaste një jetë,

po mbeti vetëm një fragment rruge.

Mendoja se do të ecnim dorë për dorë,

magji e dashurisë do zgjaste pafund,

por udhëtimi në dy ishte i shkurtër,

sa më duket se s’të kam njohur kurrë.

Brenda meje ka keqardhje, nostalgji,

por nuk mundem të të thërras: “Ndal!”.

Të shikoj, ti kthehesh në një njollë,

pastaj mjegullohesh si kujtim irreal.

Ti largohesh ngadalë në udhën e gjatë,

era luan e shkujdesur me flokët e tu,

të shikoj, siç shikohet një kalimtar

unë, që për ato flokë çmendesha dikur.

/www.qendrapress.com/