AGK dënon fushatën linçuese ndaj gazetarëve Bekim Kabashi, Berat Buzhala e Lavdim Hamidi.

Pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, në rrjete sociale cak i një fushate linçuese përmes foto-montazheve janë bërë gazetari Bekim Kabashi, drejtor i gazetës online Reporteri.net, Berat Buzhala, drejtor i “Nacionale” dhe Lavdim Hamidi, kryeredaktor në “Front Online”.Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një reagimi e ka dënuar këtë fushatë ndaj gazetarëve duke thënë se është e rrezikshme pasi vë në cak gazetarët në fjalë por edhe familjarët e tyre.“Foto-montazha e Buzhalës është krijuar në atë formë që të duket gjoja se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka ripostuar një cicërimë të Buzhalës, duke thënë se është njëri nga gazetarët më të mirë kosovar. Ndërsa, Kabashit dhe Hamidit, u janë vendosur flamuj të Serbisë në ballë me mbishkrimet: “Zagarët e Vuciqit”, si dhe “Bravo vëlla” (duke aluduar se kështu po iu drejtohet presidenti Serb dy gazetarëve)”. “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bën thirrje që fushatat e tilla denigruese të ndalen, në mënyrë që mediet të kenë mundësi të ushtrojnë profesionin e tyre pa u penguar”, thuhet në reagim. /Reporteri.net/.