Gastronomia në krizë për punëtorë

                                Lokalet e gastronomisë kanë filluar ta ndiejnë mungesën e fuqisë punëtore. Madje, pronarët shpeshherë detyrohen t`u shërbejnë klientëve edhe vetë.Të alarmuar nga kjo situatë, ata kanë menduar të rekrutojnë punëtorë nga vendet aziatike. Edhe Bagladeshi shihet si zgjidhje. Ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, u ka kërkuar bizneseve që t’i rrisin pagat dhe t’i përmirësojnë kushtet e punëtorëve.Këtë punë po e bën pronari i një restoranti në Prishtinë, sa herë që punëtorët e tij nuk arrin t’i marrin porositë.Në kohën kur lokalet e gastronomisë kanë filluar të frekuentohen më shumë për shkak të ardhjes së mërgimtarëve, kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, thotë se janë në krizë për punëtorë.“Momentalisht jemi në një krizë të madhe sa i përket punëtorëve. Nuk është vetëm që po shkojnë jashtë për të punuar, mirëpo jemi në zezonën verore, e zakonisht në zezonën verore shumica e punëtorëve ikin në vendet bregdetare për të punuar”, tha Kllokoqi.Ankesat për mungesë të stafit, bizneset i kanë adresuar edhe te Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.“Kemi marrë një numër ankesash prej bizneseve dhe kemi marrë edhe propozime të ndryshme sa i përket arritjes të fuqia punëtore, sikur që janë vendet e ndryshme aziatike. Arsyeja kryesore është se numri është mjaft i madh i migrueseve dhe ne duhet të jemi të sigurt që të kemi fuqinë punëtorë të nevojshme”, tha Zana Beqiri, drejtoreshë Ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë.Mirëpo, për ta ruajtur fuqinë punëtore, bizneseve u është kërkuar që t’i përmirësojnë kushtet e punës e t’i rrisin pagat.“Bizneset duhet të mendojnë mirë që ta ruajnë fuqinë punëtore. Ruajtja e fuqisë punëtore bëhet përmes së ruajtjes së standardeve të vendit të punës, pagave dhe gjithë bizneset këtë e kanë prioritet dhe gjendja e punëtorëve është më e mirë si vitet e kaluara”, tha Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve.I pyetur nga RTK-ja në lidhje me krizën për punëtorë, ministri i Financave, Hekuran Murati, u ka kërkuar bizneseve t’i përmirësojnë kushtet.Sektori i hotelerisë dhe ai i gastronomisë s’kanë përjashtuar mundësinë që në një të ardhme të afërt qytetarët të shërbehen vetë për shkak të mungesës së punëtorëve.