Flet Simiq pas padisë nga Kusari-Lila: S’kam lidhje me audio-incizimin, ajo ka folur disa herë me Radoiçiqin në praninë time
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka dorëzuar padi ndaj zyrtarit të Listës Srpska, Sllavko Simiq, “për incizimin dhe publikimin e incizimit të jashtëligjshëm”, duke thënë se ato janë akte penale në njërën anë dhe aktivitete dizinfomuese nga ana tjetër.Ky veprim i saj erdhi pas publikimit të një bisede të saj me Simiqin në zyrën e saj në Kuvendin e Kosovës.Pas kësaj padie, për T7 ka folur zyrtari i Listës Srpska, Sllavko Simiq, i cili mohon akuzat e ngritura nga Kusari-Lila. “Ndonëse kam qenë nën presionin e mediave për t’u shprehur që në fillim të publikimit të komunikimit të përmendur, aludimet e fundit se unë jam prapa regjistrimit dhe publikimit të bisedave tona, që absolutisht nuk janë të vërteta, më detyrojnë të mohoj gënjeshtrat me të cilat Mimoza Kusari-Lila dëshiron të largojë vëmendjen nga fakti se nga Lista Srpska dhe Milan Radojiçiq ka kërkuar mbështetje. Në emër të kujt dhe me urdhër të kujt, ajo e di më së miri. Ndoshta pikërisht nga frika e regjistrimeve të reja arsyeja e kësaj gjuetie mediatike kundër Listës Srpska, mua dhe zotit Radoiçiq, është heshtja dhe nëpërkëmbja e së vërtetës”, ka thënë ai. Ai me ngulm pretendon se Kusari-Lila ka folur disa herë me Milan Radojiçiq, i sanksionuar nga SHBA dhe i kërkuar më herët nga Kosova për vrasjen e Oliver Ivanoviq.“Shpifjet, gënjeshtrat dhe kallëzimet e sajuara penale të zonjës Mimoza Kusari-Lila nuk mund ta fshehin faktin se ajo ka folur disa herë në praninë time me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq dhe i ka kërkuar favore dhe mbështetje për votat e shumta në Kuvend”.Simiq tha se me mbështetjen e Listës Srspka, Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka miratuar më shumë se 30 ligje.“Dhe ne e kemi dhënë mbështetjen tonë jo për asgjë dhe askënd, por vetëm sepse nuk bien ndesh me interesat tona kombëtare. Edhe ajo edhe unë e dimë mirë se sa herë ka folur me Milan Radojiçiqin, sa kanë zgjatur ato biseda dhe se ka kërkuar nga ai dhe nga Lista Serbe që të mbështesin zgjedhjet e personelit për postet më të larta në Prishtinë, zgjedhjet e personelit për agjenci të ndryshme, por edhe proceset legjislative që u penguan nga opozita. Dhe kjo nuk është e gjitha. Me Radojiçiq ka pasur biseda të gjata edhe për shumë e shumë tema dhe procese të tjera aktuale jashtë Parlamentit dhe për çka e di më së miri, ndoshta një ditë opinioni do të informohet për të gjitha detajet”.