Presidenti malazez: Njohja e pavarësisë së Kosovës e anëtarësimi në NATO, çështje të kryera
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, në një intervistë për RTV Sllovenia tha se njohja e pavarësisë së Kosovës, anëtarësimi i vendit në NATO dhe sanksionet ndaj Rusisë si pjesë e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian janë çështje të përfunduara.“Ju e dini se ishte zoti Gjukanoviq ai që e futi çështjen e kishës në politikën e përditshme… Mendoj se tani politikanët në Mal të Zi janë fokusuar diku në temat që janë me rëndësi thelbësore për qytetarët, përkatësisht standardet ekonomike dhe të jetesës, sundimi i ligjit dhe integrimi europian. Ndërsa ata na ndanë dhe fokusuan në ato ndarje, ajo që ndodhi ishte se një rreth i vogël njerëzish të lidhur me strukturën e mëparshme qeverisëse u pasuruan shumë, duke i frikësuar vazhdimisht njerëzit dhe duke promovuar gënjeshtra të ndryshme për këtë apo atë ndikim në Mal të Zi, që zgjati për kaq gjatë për autoritetet”, tha ai. Milatoviq tha se mandatin e tij do t’ia dedikojë qëllimit për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian dhe se shpreson që të gjitha subjektet politike të tregojnë përgjegjësi në këtë drejtim.