Qëlluan me armë zjarri drejt Policisë, arrestohen 4 serbë dhe një shqiptar në Zubin Potok

Pesë persona, katër serbë dhe një shqiptar janë arrestuar mbrëmë në Zubin Potok, ndërsa një tjetër është në kërkim në lidhje me kontrabandën me mallra, narkotikë dhe sulm ndaj policisë.Këtë e ka konfirmuar zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani. Ai tha për mediumin lokal atje Kossev, se rreth orës tre pas mesnate policia ka gjetur se në një furgon kishte mallra të cilat ishin ilegale.Ndërsa pasi policia tentoi t’i ndalojë të dyshuarit, ata hapën zjarr dhe policët iu përgjigjën të shtënave.Sipas Elshanit nga shkëmbimi i zjarrit nuk ka pasur të lënduar.“Sonte, tre orë pas mesnate, policia ka gjetur një grup kontrabandistësh në tre vetura dhe një furgon në afërsi të Çeçevës. Në momentin kur policët kanë tentuar t’i ndalojnë, sipas Elshanit grupi ka sulmuar me armë zjarri policinë, e cila është kundërpërgjigjur. Oficerët e policisë iu përgjigjën zjarrit, por për fat nuk pati viktima”, tha ai.Më pas në furgon kanë gjetur mallra të ndryshme, cigare dhe kanë konstatuar se kishte edhe lëndë narkotike.Pesë të arrestuarit dyshohen për “kontrabandë mallrash”, “posedim të lëndëve narkotike” dhe “sulm ndaj zyrtarit”. Të katër automjetet janë sekuestruar.