Blerja e librave nga prindërit, Lushaku: Ky eksperiment buxhetit po i kushton rreth 9 milionë euro më shumë sesa buxheti i paraparë
Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku- Sadriu, përmes një videoje në Facebook, ka kritikuar Qeverinë dhe MASHTI’n në lidhje me tekstet shkollore.Ajo ka thënë se po zhvillohet eksperimenti më i madh me prindërit në arsim ndonjëherë, duke shtuar se shumë prindër nuk po mund të aplikojnë në sistem, nuk kanë xhirollogari të qasshme për shkak të borxheve dhe shumë qytete s’kanë librari. Lushaku ka shkruar se “ky eksperiment buxhetit të Kosovës po i kushton rreth 9 milionë euro më shumë sesa buxheti i paraparë”. “Ne prindërit e dimë se çfarë shpenzime të larta ka shtatori për çdo familje. Sikur mos me i mjaftu këto obligime, qeveria ua barti prindërve edhe përgjegjësinë e blerjes së librave; familjeve të 260 mijë nxënësve. Veç se nuk ishte e aftë me i siguru librat ashtu siç e obligon ligji edhe ka mandat. Për shkak të këtij dështimi, po zhvillohet eksperimenti më i madh me prindërit në arsim ndonjëherë. Shumë familje nuk po mund të aplikojnë në sistem; shumë familje s’kanë xhirollogari të qasshme për shkak të borxheve; shumë qytete s’kanë librari. Fillimi i vitit shkollor po bëhet një dramë veç për shkak të paaftësisë së Qeverisë. Për më shumë kemi të bëjmë edhe me mashtrim me shifra duke dashur ta shesin dështimin si sukses. E vërteta është se ky eksperiment buxhetit të Kosovës po i kushton rreth 9 milionë euro më shumë sesa buxheti i paraparë. Pa numëruar këtu mundin e kostot shtesë të transportit të prindërve. Sot askush nuk di se çfarë saktë po ndodh. S’ka transparencë, ka veç anarki. Përfundimisht, Kosova s’ka Ministri të Arsimit. Ministria e paaftë ua ka bartë prindërve qeverisjen dhe përgjegjësinë prindërve”, ka thënë ajo.