Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Mervete DRAGAJ

DRENICË

———————

Më kujton lulet kur ishin tharë
Dhe unë kisha etje
Flakën e Diellit
E kujtoja kur Drenica ishte vetë flaka.

Edhe mua më linde
Betejave heroike
Mbrëmjeve u bëra mysafire e zjarreve

Aty ku bota dëgjoi
Për një popull liridashës
Dhe shëtita bashkë me ëndrrën për Liri

Në udhëtimin tim e kisha edhe Shotën
Edhe Xhevën,
Bac Ademin e kisha komandant
Dhe prijës të lirisë.

Shkallëve të jetës
do të ngjitemi deri tek ti Hënë,
më lart se kulla e Jasharëve.
Është vetëm Dielli
Me dritën e të cilit
e shohim të lirë Kosovën.

Ç’KOHË ËNDËRROJA!

———————————

Ëndërr të kisha, Liri.
Nëpër secilin vit e shekull
Në vitet e mia, plagët e dhembjet
Sikur iknin nga unë.

Eh, ç’ma ndalonin kohën
Nuk di për buzëqeshjet
Kur nuk ekzistonin as si shërim…

Çfar’ t’i fal luftëtarit
Një copë atdheut të shpuar
Kur pranë sofrës isha e uritur
E vogël kur isha.

Besnike i qëndroja gjyshës
Dhe fjalës për dashurinë kur më fliste
Këtë kohë e mata me buzëqeshjet
Për plagët që me to u linda.
Së bashku me jetën i numëroja vitet
Sepse ëndërr të kisha, Liri.

/www.qendrapress.com/