Fshatrat Gorozhup-Pogaj të Hasit do të lidhen me rrugë
Është nënshkruar protokolli për zbatimin e marrëveshjes për ndërtimin e rrugëve të fshatrave ndërkufitarë që ndërlidhin fshatrat ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.Nënshkrimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje është bërë nga zëvendësministri i MMPHI-së, Hysen Durmishi, dhe Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, bën të ditur Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.Sipas njoftimit nëpërmjet kësaj marrëveshje përveç se dy vendet do të ndërlidhen më afër me njëri tjetrin ekonomikisht, bashkërisht do të kontribuohet në vlerësimin e gjendjes dhe përmirësimin e rrugëve të fshatrave ndërkufitare që lidhin zonat kufitare Shqipëri-Kosovë.Tutje thuhet se zona e përbashkët në mes të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, e cila do të mbulohet me këtë program zhvillimi, është e përbërë nga Bashkia e Hasit dhe Kukësit në Republikën e Shqipërisë, si dhe Komunat e Prizrenit dhe Dragashit në Republikën e Kosovës. Zonat e bashkëpunimit, siç përcaktohen në raportin mbi shqyrtimin dhe vlerësimin e gjendjes së rrugëve të fshatrave ndërkufitarë që lidhin zonat kufitare Kosovë – Shqipëri, janë fshatrat si më poshtë:
Zapod, Shqipëri – Kërstec, Kosovë
Pogaj, Shqipëri – Gorozhup, Kosovë dhe
Dobrunë, Shqipëri – Blinishtë, Kosovë.