Fryma poetike e së mërkurës me poeten: Eli Elvira
MOS MË ZHGËNJE!
————————————–
Isha bërë sërish akullnajë
Në luginën e jetës sime,
Me hapa breshke çapitja
Nën syrin e shuar të një dielli që s’ish’ më!
Sa ftohtë
Deri në damarë,
Pa katarakte dashurie,
Pa ylber që ngre një ujëvarë!
Derisa erdhe ti!
Erdhe si një fllad i ngrohtë
Me aromën e luleve te vjeshtës,
Se ç’më pëshpëritje në vesh,
Se ç’më çoje vjedhurazi ca dritëza pasqyrash
Që gjakun nisën të ma shkrinin.
Dhe unë,
Akullnaja,
Ndjeva se po bëhesha lumë!
M’u rikthyen ylberet
Nën diellin e ri,
Fustan pranvere vesha
Dhe rashë e u ringjalla
Në një katarakt!
Tani rrjedh si lumë
Çdo orë e ditë
Drejt gjoksit të madh të dashurisë tënde!
Ah, … veç mos m’u largo
Si dielli i parë,
Mos më rikthe në akullnajë,
Lemë të rrjedh si lumë drejt detit tënd…!
Ndryshe do avulloj e do kthehem
Në gjendjen e tretë të ujit jetëdhënës,
Në gaz
E, nga marazi
Do plas!
& & &
NËN PELERINË
—————————–
Sonte jam në lëkurën tënde
Mbështjellë si me një pelerinë dashurie.
Prekma shpirtin dhe dehu me të,
Zhytu në arin e flokëve të mi
E purpuru me dritën e tij.
Në fund,
Eeehhh, në fund…
Ndalo në buzët e mia dhe pusho!
… Mos shko më tej në paradis,
S’dua të të them:
Vdis!
/www.qendrapress.com/