Fryma poetike e së dielës me poeten :- Neviana SHEHI
Pasi e lexova dhe ktheva faqen e fundit
—————————————————
tregimi m’u shndërrua në mace;
hapi derën e dhomës
dhe u hodh mbi çati
me një elegance prej balerini.
E kishin dehur ngjyrat e agut
dhe një hënë e re mbështetur
mbi xhamat e mbrëmjes.
Më pas, hyri hyjnesha
me një tufe trëndafilash të egër në duar.
Gjithçka frynte atë çast,
shtegu i mendimeve të mia,
autoportreti i porsa mbaruar
i pyllit dhe, unë.
Të gjitha tregimet e bukura
s’janë gjë tjetër,
veçse gjuhë gjestesh
të krijuara mbas puthjesh,
zhurmë burimesh të kristalta,
ku krihen nimfa mesditash
e psherëtima pemësh të pavdekshme.
Këto gjuhë ju pëshpëritin bletët- luleve
duke u përgatitur të shtegtojnë nëpër kohë.
/www.qendrapress.com/