E mërkura poetike me poetin; Agim BAJRAMI
GOSTI MASKARENJSH
—————————————-
Ata po hanë, dhe nxjerrin gazra
Me miq, dashnore e shokë
Për ta ky lokal është vetë parajsa
Një copë Eden mbi tokë
Pjatancat mbushur mish të pjekur
Dhe broket plot me pije
Çdo fjalë e tyre ndjell veç mjergull
Dhe thika marrëzije
Askush prej tyre emër s’ka
Janë thjeshtë brumbuj dhjamore
Mbeshtjelle me prona dhe para
Dhe epshe si hamshorë
Veç sytë, veç sytë, su kanë ndryshuar
Të ngrysur dhe pa rreze
Ata prej netesh janë krijuar
Dhe prej qirinjsh varreze
Me njeri tjetrin qeshin, puthen
Por kurrë s’kanë pikë besimi
Takemi i thikave të bukës
Ju ngjan si thika krimi
Atdheu tashmë është pronë e tyre
Dhe se lëshojnë kaq lehtë
Shtëpitë tona, ëndrrat, yjet
Mor po, dhe ajri vetë
Prandaj dhe unë s’ndihem aq mirë
Sa herë tek i takoj
Të jesh në sy të lukunisë
Është thjeshtë një akt heroi
Ata po hanë, dhe nxjerrin gazra
Ngërdheshen si vampirë
Ky lokal ka qenë dikur i pastër
Tani vjen erë të ndyrë
/www.QendraPress.com/