MË FALNI QË MË ENTUZIAZMOI PRESIDENTJA-Shkruan;Hasan BALA

                  Ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer Hill, njohës i madh i rrethanave politike në Ballkan e më gjerë, njeri me bagazh të madh diplomatik, i cili di se çfarë duhet të thotë, di se çfarë thotë, di si ta thotë, dhe atë që thotë e thotë në mënyrën më të mirë të mundshme, paska bërë dje në Beograd një gabim të rëndë politiko-diplomatik, saqë paska deklaruar hapur se “Serbia është më afër NATO-s se Kosova!”

Kjo e paska hidhëruar e zemëruar shumë presidenten e Kosovës, zonjën Osmani, dhe ajo sonte i reagoi ashpër, tepër ashpër ambasadorit amerikan, duke ia mbajtur një leksion “special” se kush është NATO e kush Serbia, se Serbia është shtet gjenocidal, se ka bërë krime lufte, dhe se kushdo që thotë se Serbia është afër NATOs, ofendon shtetet demokratike, si Kosova. Ajo foli tamam si të ishte Drejtor Politik i NATO-s apo Shef Gjeneral i Aleancës.

Kjo vërtet më bëri krenar…

Presidentja Osmani, i rrëzoi njëherazi në prapanicë edhe Serbinë edhe Amerikën. Duke “ ia këputur në cung” zotit Hill se Serbia jo vetëm se nuk mund të bëhet anëtare e NATO-s, por ajo për këtë “nuk guxon as të ëndërrojë”, me këtë ajo fillimisht ia bëri të qartë Serbisë se ajo jo vetëm se nuk mund të bëhet anëtare e NATO-s (se kete s’e lejon Presidentja ), por ajo për këtë “nuk guxon as të ëndërrojë…” e… nëpërmjet Ambasadorit Hill, Presidentja i tregoi dhe Amerikës se ku e ka vendin, duke e gjykuar rëndë e duke ia bërë të qartë që të mos guxojë më kurrë të bëjë këso gabimesh të rënda strategjike… Mandej, ajo e bëri të ndjehet tepër keq Superfuqinë, kur Presidentja tepër drejtpërdrejt dhe shumë troc “ia këputi në cung” dhe Ambasadorit HILL se Serbia le që nuk mund të bëhet anëtare e NATO-s, por ajo për këtë “nuk guxon as të ëndërrojë…” Sic thotë një fjalë e urtë popullore jona “me një plumb vrau dy vetë!”

Ja, Kjo është presidentja jonë, që nuk do t’ia ndijë as për Serbinë, por as për Amerikën… Bravo, Presidente! Vazhdo të na bësh krenarë! Të duam shumë!!!

20.3.2024 /www.QendraPress.com/