Çaste poetike me poeten:Lulëzime MALAJ
Ç’natë groteske
———————————-
Tutje shtyn fshesat e erës, vjeshta,
Oborrin nga gjethet, sikur e pastron,
Tundet në gardh një shami me hojna,
Si flamur i bardhë, sikur paqe kërkon.
Një degë arre më troket në xhame,
Zgjohem e trembur dritaren e hap,
Shoh vjeshtën nudo veshur nallane,
Çative, sokaqeve natës me vrap!
Rreth strehës stuhia shkulmat vërtit,
Aty sikur shfryn e derdh gjithë inatin,
Lotojnë qiejve e s’gjejnë rehat fletët,
Dhe tokën mbulojnë, si fletë kalendari!
I xhindosur lumi përmbyt vreshtat…
Merr para deg’ e fletë… kuturu,
Tutje pyllit e trembur struket vjeshta,
E mbytur në lot fshihet diku!
Ç’natë groteske, kjo natë e ujshme,
Kullojnë gjinjtë e qiejve nën astar,
Hëna si magjistrickë e padukshme,
Në degën lakuriqe të arrës u var!
/www.QendraPress.com/