Çaste poetike me poetin;Hamit TAKA

TI, O POPULLI IM

——————————

Ta them hapur, pa dilemë:

Mos më lexo, se do më urresh…

Kur unë të vërtetën do ta themë,

“Ç’të duhet ty, or trap”, do ma kthesh.

Po, mo po, ti, populli im,

Shoku, miku, i afërmi, vartës a shef!

E mori dreqi e mori, jam gjaku yt legjitim

Dhe më bëre të shkruaj me kaq mllef!

Ti, i çuditshmi, populli im,

Kaq i zhgënjyer, i influencuar përherë!

Ti, që m’i cingëris nervat sa hap sytë

Me atë të troshiturin karakter!

Sot ankohej se ke lakun në fyt

Nesër brohoret se punët të venë vaj

Më je bërë si politka pa kokë e pa bisht

Po jo edhe shteti, ta hajë dreqi ta hajë!

Ti, o populli im i ri

Me depresion e drama që në lulen e rinisë,

Me mua je, krejt tjetër njeri

Dhe botës i shitej si dhuratë e perëndisë;

Ti, që veten shan e urren,

Që s’lexon një libër, nëpër kafe ditën ngrys

Të fyhet qytetaria e ndërgjegjja të bren

Kur vriten gazetarët në Paris…

Ndodh që vritet një turist i huaj

Ti mohon veten, kriminel i thua për ibret

Me injorancën tënde tallesh kur burri vret gruan

Në zgryp është rritur, thua, dashka dhe qytet!

Ti, që intelektin ke në gen

Rropatesh për një falco-diplomë

Për të qënë thjesht ushtar i kavies

Që bota eksperimenton në planetin tonë.

Ti, o populli im, që i bie gjoksit

Se je krenar, trim e rron me nder,

Symbyllur te kutia e hedh votën.

Pastaj kthehej në një letër pa vlerë;

As pushtuesi, as diktatura as demokracia

S’patën këllqe të të ndryshonin ty…

Unë jo se jo, as Perëndimi, mos nesër rinia?

As Zoti, as dreqi s’e di…

/www.QendraPress.com/