E diela poetike me poeten:Rajmonda Qose SHKOPI
Nën gërmadha nxjerrim kujtime
———————————–
Ferrat e kanë mbytur shtëpinë,
Ku fëmijëria ime hodhi shtat
Ja, atje ishte kumbulla e egër,
Përbri saj një fik i lashtë.
Gëlqeren e mureve e ka zhvatur shiu,
Sa shumë që bie këtu për dreq!
Përroi që erdhi nga udha e sipërme,
E rrëzoi ledhin për fat të keq.
Dritaret u ngjasojnë syve të përvuajtur,
Që luten për të mos rënë në të thellin gjumë
Teksa më shoqërojnë kur u kaloj pranë,
Gojë nuk kanë, por flasin shumë.
Dhe pemët pritën , që ne të vinim
Prehrin e mbushën me fruta plot
Pastaj krahët përdhe u ranë,
U kalbën të gjorat, se nuk erdhëm dot.
Të gjithë me radhë puthën tokën,
Në fillim babai, pastaj nëna ime,
Ndërsa ne, arkeolog udhëve të botës
Nën gërmadhat e shtëpisë nxjerrim kujtime.