E diela poetike me poeten;Blerina BEHARI
O njeri
————————-
O njeri që lëviz në horizonte të përflakura
Dëgjoje klithmën tek ulërit dhimbshëm
Deri në kupë të qiellit me piskamë inatçore…
Sa e ka çmimin jeta?
Aq sa emblema e tij
në heshtje të pafjala ndërpret metamorfozën
Në ditë të errëta në precipitimet e memories
që fshihet skutave të ndërgjegjes së krisur
Atje në toka të shkretuara dunash rëre në pritje të apokalipsit.
Ulërit duke rrëmihur dheun
e turfullon si bishē e plagosur krisjen e qiellit.
Oh, ç’mynxyrë që shihet në vargun e zogjve
që enden të lebetitur nga ndjekja me klithmat e çjerra të grabitqarëve .
Mizërie që shqyen zemra e duar që kërkojnë ndihmë.
Zoti nuk i shikon.
Kufomat zgjohen e kërkojnë jetën.
Ku je agim i mëngjesit mëkatar
Ne ç’farë ëndrre ke rënë që zgjimin e
tundon në marshe funebre dashakeqe
Oh ,ç’mynxyrë
Në ç’ dhera të trishtë je zgjuar
Hedhur oshtimën e maleve që oshetijnë
Në kartat e djegura të heshtjes
Ne kreshtat e veshura me mantel të hekurt
e fushat që përcjellin tmerrin e shkrumbuar
Vite drite munguar e ajri përplas skenarët në
cungen akulli që treten e treten
Në mesjetë jetojnë shekujt
aty pa lëvizur me kodin e heshtjes.
Asgjë nuk pipëtin veç dihatja e mundimshme
e frymorëve të pafrymë.
Terri e liria fshihet skutave
Jetë që prek fundin e shpreson qarjen e
fëmijës qe nuk u përkund kurrë
Djepi bojërjepur loton dhimbjen e
s’mund të ndalë ikjen e filizave ndër dhera të tjerë.
Buzëqeshjen që i avitet e prek në ajrin që nuk frymon
Njerëz në ikje
E foleja vajton duke pritur kthimin e jetës
që zhduket tej horizonteve pa kthyer kokën pas
Sytë e botës ngërdheshën duke parë lotët e
dhimbjes që çan gurët e kalbur të durimit.
Në fundin e lumit,
hijet mbyten në aluvionet e kohës.
/www.QendraPress.com/