E  diela poetike me poetin;Arbër DRITONI

LËRMËNI TË QETË

——————————

Në boshllëk mendimesh

po zhbëhem e tretem në mënyrë “elegante”

pa kurrfarë dëshmitari

të shoh “vdekjen” time

Nuk di ç’mjeshtri të përdor

që t’i vras harresën dhe anonimitetin

mëtoj t’mos shëmtoj kujtimin

për ditët e shkronjëbërjes

kur merresha me krijimtari letrare

dhe i thurja elegji mëmëdheut

plot mall, nostalgji e dashuri

gojëligët i kënaqen katandisjes sime

në vorbullën e harresës dhe mjerimit

thashethemet gumëzhijnë kuloareve

duke më përbaltur me lloj-lloj etiketimesh

por unë s’ua varri veshin idiotëve

flej i qetë në botën e vetmisë sime

O gojëligë

qepne atë gojë plot llafazanëri

lërmëni të qetë

në botën e vetëharresës sime

që të gurëzohem me këngë dhe poezi

/www.QendraPress.com/