Çaste poetike me poeten;-Kumrie Avdyl SHALA

DORËZGJATUR MOS MË LË!

—————————————-

Pse nuk më lejon të të ndihmoj,

kur t’i zgjata të dyja duart,

Të afroj pranë shpirtit tim,

aty ku zemra për zemrën flet pa fjalë?

Mos e refuzo ndihmën time,

atë që prej vitesh e kam ëndërruar,

të të ngre drejt qiellit të shtatë,

ku parajsa vetë të ka ftuar.

Mos u sillë rreth boshtit shekullor,

mos e mbaj plagën fshehur në heshtje!

Zbuloje, lëre të marrë ajër atdheu,

se kështu do të shërohet më lehtë.

M’u afro, të të marr për dore,

të të ngre përtej reve në qiell,

atje ku të kanë zili zanat e malit

dhe ulërima e ujqve hesht përnjëherë.

Mos u frikëso nga vetvetja,

se sytë e mi mbi ty i mbaj përherë!

Mos u shtir sikur nuk më njeh,

kur shpirti im të njeh ndër mijëra të tjerë.

M’i afro duart,

të ta largoj perçen e zezë;

në fytyrën tënde dua të shoh

buzëqeshjen e dikurshme, si ngaherë.

Largoje frikën,

mos e mbyll zemrën në vetmi!

Të kam zgjatur duart me dritë e dashuri,

 dorëzgjatur, mos më lër në pritje,

mos ma lër shpirtin pa përgjigje!

/QendraPress/