Fryma poetike e së dielës me poetin:Sabit RRUSTEMI

PIKËLA MËRGIMI

NDARJA QË S’PORTRETOHET

( Ndarja kur afrohet

Është moment që s’portretohet )

l.

Babai ka udhë të largët

në dhe të huaj ngrys jetën

Në familje fjalët nxirren me darë

dita e lirë

telefon – dridhësi

Vetëm pakoja me cigare zbrazet

e shuhet cigare pas cigareje

Kot hapim derën

tymnaja nxinë trarët e shtëpisë

E kollitra – muzikë korbi

s’pranë e s’pranë

Dëshira e vrarë

varroset krahërorit

– si nuk hoqa dorë nga ky i shkretë

Ec e dije

në është fjala për duhanin a mërgimin

Njësoj si ta marrësh

loti përlot lotin

e pikon në zemër

2.

Para çdo udhëtimi

valixhja e gatshme prêt

me këpucët e zgjidhura para dere

Ora sa herë shket

kohënisja troket

Drama gaz djeg

Sytë bëhen zogj përcjellës

kur na përshëndet veç e veç

Derdhet oborrit

uji i mbetur në fund gote

si kujtim që nuk soset

3.

Detyrë të rëndë ka babi

braktisë një pjesë të vetes

duke shkelur nëpër dëshira

Hapat e shpiejnë për tjetër udhë

perëndimit të zverdhur

larg nga toka e vet

e kapluar prej sëmundjes së pushtimit

Filli i mbështillet metropoleve

udhëve të kyçura nëpër semafore

mbesin kujtimet si tagër jete

4.

Nganjëherë i flihet sa s’ bëhet

po si ta shporrë ëndrrën

fshehur nën qerpikë

I shfaqet befas droja e nënës

si një brengë më shumë

LETRA ME DILEMA

( Merr të shkruaj letër

po ç’t’i bëj dilemës )

A mblidhen kujtimet

stinëve viteve

bulevardeve aleve

kanaleve të Vjenës

A futen nëpër copëza letrash

përqeshjet e djersëve

apo balli i rrudhët e plot mall

që nuk shlyhet nga shilingat

Biri im

krejt këto fërfëllaza

po i paloj

po i fus në kuvertë

le të prehen

le të shuajnë etjen në atdhe

6.

Sa herë erdha në Vjenë

shpatit iu qas një përrockë

livadhi mori tjetër ngjyrë

dhe emri një bisht mavi

Po – e fsheha në zemër

që të mbetet emër mbi emër

Kthjelli sytë biri im

shpatit të përronjtë

ruaju se të shket këmba

barit të pambledhur

kujdes nga hala

7.

Herë herë

me sheti dal

për të hequr mërzi

po në çdo skaj udhe

më shfaqet ajo shtëpi

Tek një muze

pran kujtimit të moçëm

çmallem e falem kah atdheu

Ngushëllohem me mënyrën

se nuk jam i vetmi

8.

Letrën kur të ma kthesh

në një cep të saj

paloma një pjesë qielli të vendlindjes

Në anën e pashkruar

vizatoma dorën e nënës

se ku ta dish a e gjej

a më prêt

më trembin ëndrrat

e gjumi s’vjen pa më ledhatuar ajo

DËSHIRË E MBRUMUR

( Ajo që s’ gjendet në letër

Mbrumet si dëshirë në zemër )

9.

I tëri po të jepem

baltë e buzëve të mia

strukur mes rrudhash nëpër vija

në nisje cepave të hoqa

dashuri e trembur skaj lumi

vijnë e ngrehen valët

zall i shpërlarë ngeli

Merrmë shtromë shkilmë

udhës që kthen kah streha

fëmija të mos zhlyhet

me pikla mërgimi

/www.QendraPress.com/