Fryma poetike e së dielës me poeten:Barie ÇUPI
Përgjigje të njëllojta
————————–
Prej dallgësh udhëtare,
tempulli i detit,
si shpirt i ringjallur në heshtje,
citje e ndjelltë e njerëzimit,
harqe të ndritshme valësh ikin përtej
në bregun tjetër,
siluetash dërgojnë zë zemrash,
drejt perëndimit,
zbrazëti përqafimesh,
zbehtësi e shpërbërë fjalësh e germash,
piklash të kriposura,
si sumbulla lotësh të kristalta,
…
ngazëllim poetësh,
k’ta predikues të qiellit,
thellësisht nostalgjikë,
si thellësia tunduese e detit,
hapësirash të fshehta ,
transportues ndjesish gjer në pafundësi nënujore,
përjetim poetësh,
k’ta zota shërues të gjurmëve tokësore,
…
kujtoj harresat,
mbyllje portash,
hapje dritaresh hapësinore,
ndizet muzgu i pasigurt,
paanësi absolute e vetëdijes për madhështinë e kohës,
këtej e përtej,tutje,
ku po pushon pjesa tjetër e botës,
befas mbi gurishte më formohen emra,
pastaj lemza,
pastaj këmbësh të zbathura,
zbërthim përgjigjesh të njëllojta,
monotone,
si plagë shekullore,
dashurinë time e mbaj në trup,
e gërvishtet lehtë bregdetit të gurtë,
merr frymë me zor,
herë gulçon e herë shëtit butë,
e shkumon në fletën e lagtë,
përsëritje e dhimbjes,
e asgjësë,
që ka humbur forcën prej lundrimi të gjatë.
/www.QendraPress.com/