Ndahet nga jeta Dr. Tyrhan Kosova, internist- endokrinolog.
Në orët e vona të datës 02.09.2024, në moshën 62 vjeçare, është ndarë nga jeta Dr. Tyrhan Kosova, mjek specialist internist-endokrinolog, i punësuar në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”në Prizren, Reparti i Sëmundjeve të Brendshme.
Dr. Tyrhan Kosova ka lindur në Prizren më 29.11.1962. Shkollimin fillor dhe të mesëme kreu në Prizren. Në vitin 1989 kreu Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme në Prishtinë, ndërsa në vitin 2000 kreu specializimin për mjekësi interne, si dhe subspecializimin për endokrinologji.
Pas kryerjes së Fakultetit të Mjekësisë, në vitin 1989, në cilësi të mjekut të përgjithshëm, punësohet në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustrafa” në Prizren. Në vitin 2008 ka udhëhequr Drejtorinë komunale për Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale, ndërsa një kohë ka punuar në EULEX dhe Arabi Saudite. Në vitin 2018 rikthehet në Spitalin e Përgjithshëm”Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, ku punoi deri në momentet e fundit të jetës. Ka ndjekur dhe kryer disa trajnime profesionale për mjekësi interne dhe endokrinologji. Dr. Tyrhan Kosova ishte njeri i afërt, i dashur, kolegial, i përkushtuar në punë dhe pa përtesë e me ndershmëri e përgjegjësi kreu detyrat dhe obligimet e punës, duke qenë në shërbim të pacientëve, sepse ai me kohë e kishte kuptuar se të jesh në shërbim të popullit tënd dhe gjithë atyre që kanë nevojē për ndihmë dhe shërbime shëndetësore është detyrë profesionale dhe humane. Menaxhmenti dhe gjithë punonjësit e spitalit shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe miqtë e Dr. Tyrhan Kosova.
Kujtimi për punën, kontributin dhe shembëlltyrën e Dr. Tyrhan Kosova do të jetë i përhershëm! Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” Prizren