Totaj shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Dr. Tyrhan (Rifat) Kosova
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka shprehur trishtimin e tij të thellë dhe ngushëllimet e sinqerta për ndarjen nga jeta të Dr. Tyrhan (Rifat) Kosova.
Ai shprehu dhimbjen për këtë humbje të papritur të Dr. Tyrhan (Rifat) Kosova.
“U trishtova thellësisht nga lajmi për largimin e parakohshëm të Tyranit nga kjo botë,” tha Totaj.
“Ky lajm është sa i papritur, aq edhe i dhimbshëm. Familja humbi njeriun më të dashur, Prizreni humbi një mjek të jashtëzakonshëm, dhe unë humba një shok të afërt, me të cilin kam ndarë shumë momente të veçanta, përfshirë pasionin tonë të përbashkët për basketbollin dhe shumë udhëtime dhe përvoja të tjera.”
Totaj gjithashtu ndau një kujtim të veçantë, duke theksuar se fotografia më e fundit që kishte me Tyrhanin ishte në fushën e basketbollit në Marash, një kujtim që do të mbetet përherë i çmuar.
Kryetari Totaj i ka dërguar ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë dashamirëve të Dr. Kosova.
“Familjarëve, miqve e dashamirëve ju shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta. Tyrani u prehtë në paqe!”