Spitali Rajonal në Prizren me respekt e rikujtojnë Dr. Tyrhan Kosova
Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr.Daut Mustafa”në Prizren, të premten, ka mbajtur akademi përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e dr. Tyrhan Kosova, internist-endokrinolog. Akademia përkujtimore është organizuar nën kujdesin e drejtoreshës ekzekutive, Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj, e cila në fjalimin e saj ka vlerësuar punën dhe profesionalizmin e dr. Tyrhan Kosova. “Jemi këtu, në këtë akademi përkujtimore, për të nderuar Dr. Tyrhan Kosova, i cili papritmas u nda nga jeta më 2 shtator 2024. Doktor Tyrhanin e kam njohur qysh herët dhe kam pas rastin të punoj me të, në kohën kur ishte drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunë, ndërsa unë isha drejtoreshë e QMKF-së. Ai ishte një njeri dhe mjek me personalitet, i përkushtuar në punë, modest, i dashur, i afërt, kolegial dhe me përgatitje të lartë profesionale dhe mbi të gjitha ishte njeri fisnik. Doktor Tyrhan Kosova deri në momentet e fundit të jetës, nuk u ndal së punuari për të mirën e njerëzve. Ai nuk u ndal asnjëherë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të shpëtuar dhe përmirësuar jetën pacientëve.tha drejtoresha Hoxhaj.
Në emër të repartit të Internos, ka folur Dr. Shemsedin Shaballori, shef i repartit, me vlerësimin se Dr. Tyrhan Kosova ishte një mjek profesionist dhe bashkëpunëtor i respektuar. “Të krijosh një mjek është e barabartë me krijimin e një gjenerali, dallimi është se gjenerali tërë jetën përgatitet për luftë dhe në shumicën e rasteve , asnjëherë nuk e përdor dijen për atë çka edukohet. Ndërsa mjeku tërë jetën edukohet, por edhe tërë jetën lufton, lufton me vdekjen, tërë jetën urdhëron, veprimet që duhet të ndermirën për t’i ndihmuar pacientët. Prandaj, humbja e një mjeku është e barabartë me humbjen e shpresës për ndihmë ndaj pacientëve që kanë nevojë për të, e që me vite janë familjarizuar me sjelljen, dijen ,pedanterinë, principet, karakterin, përpikërinë, e mbi të gjitha sakrificën që ai bën për të tjerët, duke ja transmetua një pjesë të jetës së tij, nëpërmjet stresit, dëshprimit, kur nuk shkon qysh duhet trajtimi, rrezikimin e jetës së vet, duke u mundua për të ndihmuar pacientët. Në emër të familjes ka falënderuar e Dr. Jehona Kosova, e bija e Dr. Tyrhan Kosova “Të nderuar të gjithë ju të pranishëm, Më lejoni të falënderoj nga zemra Spitalin e Prizrenit, Drejtoreshën, Drejtorinë, Repartin e Internos dhe të gjithë juve që jeni tubuar sot për të nderuar dhe kujtuar veprën e babit tim. Për ne si familje, prania e juaj ka një domethënie të veçantë, jo vetëm sepse kujtojmë një njeri që e kemi dashur dhe admiruar aq shumë, por edhe për faktin se shoh që babi im ka pasur një shoqëri të gjerë e të thellë me shumë prej jush. -pohoi Dr. Jehona, e bija e dr. Tyrhan Kosova. /www.QendraPress.com/